Qëndrimi i papritur i Moskës për digën e lumit Nil, zemëron aleatin e ngushtë Egjiptin (fotot)

17/07/2021 19:45

Disa analistë në Egjipt po bëjnë thirrje për rivlerësim të marrëdhënies së vendit me Rusinë, e cila nuk mbështeti versionin egjiptian për digën mbi lumin Nil në Etiopi, në Këshillin e Sigurimit të OKB.

Kairo është konsideruar prej kohësh aleat i afërt i Moskës por kjo e fundit nuk mbështeti pozitën e Egjiptit në lidhje me ‘Digën e Madhe Etiopiane të Rilindjes’ e cila mund te reduktoje furnizmin me ujin e çmuar në Egjipt.

Këshilli  Sigurimit mbajti një sesion për digën në Nilin Blu një javë më parë, me kërkesë të Egjiptit e Sudanit. Lumi Nil furnizon Egjiptin me 85% të nevojave të tij për ujë.

Tunizia, anëtar jo-i përhershëm i Këshillit të Sigurimit, dorëzoi draft-rezolutën ku i kërkohet Etiopisë pezullimi i punimeve në rezervuarin e digës deri në arritjen e një marrëveshjeje me fqinjet për operacionet.

Egjipti kishte mbajtur paraprakisht një seri takimesh bilaterale mbi çështjen, dhe priste dje që Rusia dhe aleatët të tregojnë mbështetje për qëndrimin e tij mbi digën, të cilët e konsideron si kërcënim ekzistencial.

Diga etiopiane konsiderohet si kercenim nga Egjipti

Përfaqësuesi i Rusisë pranoi domethënien politike dhe ekonomike të digës për Etiopinë, në një deklaratë për të cilën Kairo tha se ishte tepër “e balancuar” për një shtet, “klient” kryesor të mallrave dhe armatimeve ruse në Afrikë.

Përfaqësuesi rus shprehu mirëkuptim për shqetësimet e Egjiptit dhe Sudanit për impaktin e mundshëm negativ të digës dhe bëri thirrje për një zgjidhje të negocjuar, përkundër asaj që quajti “retorikë konfrontuese” mes tre shteteve.

“Kjo retorikë nuk çon në gjetjen e zgjidhjeve të bazuara te kompromisi. Ne jemi të bindur se marrëveshjet socio-ekonomike nuk duhet të sjellin kërcënime për paqen e sigurinë”, tha përfaqësuesi rus Vasili Nebenzya.

Dhe në fakt shumë u shokuan nga qëndrimi rus, teksa Egjipti është një vend i varfër me ujë dhe e konsideron digën një faktor përkeqësimi të mangësive të ujit.

Kairo kishte kthyer sytë nga Moska që prej rebelimit ushtarak kundër presidentit islamist  Mohammed Morsi në 2013, kur ndihma për Egjiptin u refuzua nga e gjithë bota perëndimore, veçanërisht SHBA që deri atëherë kishin qenë furnizuesit kryesorë të armatimeve për vendin.

Asokohe vendi u ndihmua nga Rusia, Kina e Japonia dhe më pas Moska u bë furnizuesi kryesor i armatimeve të avancuara për Kairon, çka u konkludua me marrëveshjen e partneritetit strategjik mes vendeve, në tetor 2018.

Tashmë volumi i tregtisë vjetore mes tyre është afro 4 miliardë dollarë në vit dhe tregtia me Egjiptin tashme përbën 83% të tregtisë së Rusisë me të gjithë kontinentin afrikan.

Egjipti ka blerë miliarda në armatime nga Rusia prej vitit 2014, duke përfshirë avionë, sisteme raketore e madje frigata detare./Al-Monitor/ Pergatiti: Andi Lamko/

FOTO GALERI
1/3
Lumi Nil furnizon Egjiptin me 85% të nevojave të tij për ujë.

Top Channel