Princi britanik Charles ‘i bindur’ se Camilla do të kurorëzohet ‘Mbretëreshë bashkëshorte’ (fotot)

17/07/2021 15:59

Teksa mbushen saktësisht tre muaj që prej varrosjes së Princit Philip, bashkëshortit të mbretëreshës britanike, kanë nisur spekulimet për të ardhmen e mbretërisë, kur në krye të saj të kurorëzohet Princi Charles.

Zhurmat e fundit nga familja mbretërore perandorake, sipas britanikes “The Sun” thonë se Charles është i vendosur që gruaja e tij Camilla të kurorëzohet “Mbretëreshë bashkëshorte” ditën e parë që ai do të vijë në fron.

Një lëvizje e tillë do të rriste ndjeshëm statusin e saj, thuajse në lartësi të njëjtë me atë të “Nënës mbretëreshë”.

Ish-korrespondenti “mbretëror” i rrjetit BBC, Brian Hoey thotë se Princi Charles e ka bërë të ditur këtë te një numër anëtarësh të familjes, ku ka thënë gjithashtu se preferon që ceremonia e kurorëzimit të tij të “reduktohet” në krahasim me atë të kurorëzimit të nënës së tij.

Në këtë të fundit të zhvilluar në 1953, nga rreth 8,000 të ftuar, 39 ishin mbretërorë.

Kësaj jave u mësua gjithashtu se para vdekjes, Princi Philip deshironte që titulli i tij, ‘Duka i Edinburgh’ t’i shkonte djalit më të vogël, Edward, dhe jo Charles.

Por ky i fundit e mori automatikisht titullin me vdekjen e të atit dhe nuk ka ndërmend të heqë dorë.

Një anëtar i oborrit tregonte: “Princi është aktualisht Duka i Edinburgh dhe ai vendos më tej se çfarë do të bëhet me titullin. Nuk besoj se do t’i jepet Edward.”

Zhvillimi vjen si goditje për Edward e bashkëshorten e tij Sophie Wessex, të cilët kishin vizituar mbretëreshën për ta ngushëlluar pak pas vdekjes së Philip.

Një mik i çiftit kishte thënë për ‘The Sun’: “Si Edward dhe Sophie duhet të jenë të çuditur, të lënduar që janë trajtuar në këtë mënyrë. Ata nuk meritojnë këtë trajtim nga Charles — por krejt të kundërtën nëse shikoni shërbimet e tyre ndaj kurorës”.

“Unë e di se Charles sikletoset nga afëria e Mbretëreshës me Sophie (gruaja e Edward) e cila megjithse është e jashtme, është bërë shumë më e afërt për nënën e tij nga sa ka qenë ai vetë”.

Një tjetër burim mbretëror sipas The Sun, shprehet: “Kjo mund të sikletosë paksa Charles sa i përket popullaritetit të çiftit Wessex. Charles është këmbëngulës dhe mund të sfidojë vullnetin e shprehur të babait të tij nëse e sheh të nevojshme. Por shpresojmë të mos e bëjë”.

Familja mbretërore britanike merr 90 milionë paundë në vit nga taksapaguesit.

Përvec çështjes me të vëllanë, plani tjetër madhor i Charles është ai shpalljes së gruas së tij Camilla “Mbretëreshë bashkëshorte”.

Roli i “Mbretëreshës bashkëshorte” rrit shumë statusin e Camilla pasi do të kurorëzohej në të njëjtën ceremoni me mbretin e ri.

Eksperti Brian Hoey thotë: “Charles kërkon që kurorëzimi i Camilla të bëhet me të njëjtin formalitet si ai i Nënës Mbretëreshë. Në kohën kur ajo u martua me Princin në 2005, Camilla ishte nga gratë më të urryera në Britani, teksa shumë njerëz e fajësonin për shkatërrimin e martesës së Charles me princeshën Diana.”

“Por në këto 16 vjet të kaluar Camilla ka nisur të pranohet si anëtare e plotë e familjes mbretërore. Ajo e ka mbajtur veten me dinjitet duke dhënë mbështetjen e saj për bashkëshortin dhe mbretëreshën”.

FOTO GALERI
1/5
Elisabeth ne kurorezimin e saj ne 1953

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA