Parandalohet ngjarja kriminale! Arrestohet 30-vjeçari që u kap me 2 mina me telekomandë, do shiteshin për 6000 euro

17/07/2021 09:18

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se një shtetas me tendencë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së minave me telekomandë po tentonte të shiste mina me telekomandë, kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim me patrullat e përgjithshme kanë finalizuar operacionin e koduar “Parandalimi”.

Në kuadër të këtij operacioni, në vendin e quajtur “Muzeu”, në lagjen nr.9, Durrës, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit E. Th., 30 vjeç, banues në Katund i Ri, Durrës.

Shërbimet e Policisë gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit E. Th., i gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 mina me telekomandë të lidhura me aparat celular, të cilat ky shtetas do i shiste kundrejt shumës 6000 euro.

Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Top Channel