EMRI/ Kapet në Spanjë shqiptari i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Si u zhduk personi që tentoi ta kalonte ilegalisht në Australi

17/07/2021 10:56

Një shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprën penale “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit” është arrestuar nga autoritetet spanjolle në bashkëpunim me ato shqiptare dhe pritet të ekstradohet drejt Shqipërisë.

Interpol Tirana në njoftimin zyrtar bën me dije se personi i arrestuar është Luan Bundo, 64 vjeç.

“Shtetasi Luan Bundo është arrestuar nga autoritetet policore në Madrid, pas shkëmbimit të informacionit policor mes Interpol Tiranës me Interpol Madridin, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, në zbatim të urdhër-arrestit ndërkombëtar të nxjerrë nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në vitin 2016, e ka dënuar këtë shtetas me 10 vjet burg, për veprën penale “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”.

Gjithashtu, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në vitin 2016, e ka dënuar këtë shtetas me 2 vite të tjera heqje lirie, për veprën penale “Mashtrimi””, njofton Interpol.

Por si ka ndodhur ngjarja?

Luan Bundo i ka premtuar shtetasit me iniciale M. P. se do ta shoqëronte për në Australi, kundrejt pagesës.

Të dy së bashku kanë shkuar fillimisht në Indonezi dhe prej atje, me një peshkarexhë që drejtohej nga njerëz të cilët ishin njohje me shtetasin Luan Bundo, do të kalonin ilegalisht për në Australi.

Familjaret e shtetasit M. P. kanë humbur kontaktet me të dhe më pas nuk kanë patur asnjë komunikim apo informacion për vendndodhjen e tij.

Top Channel