Vendimi i kushtetueses për teatrin/ Shembja mbetet në fuqi, Gjykata është e përçarë

16/07/2021 19:20

Gjykata Kushtetuese publikoi të zbardhur vendimin për çështjen e teatrit.

Sipas këtij vendimi kushtetuesja rrëzon ligjin special për ndërtimin e teatrit me koncesion, ligj që shpjegohet se kishte humbur fuqinë për shkak të dështimit të negociatës. Gjithashtu shfuqizoi edhe vendimin për kalimin e teatrit në pronësi të bashkisë, si akt nënligjor të këtij ligji.

Por gjykata ka lënë në fuqi vendimin për shkatërrimin e godinës së vjetër të teatrit. Lënia në fuqi është bërë pa e shqyrtuar fare këtë vendim duke rrëzuar kërkesën për shfuqizimin e tij. Arsyeja është sipas vetë gjykatës së anëtarët e gjykatës nuk kanë qenë të gjithë në një mendje nëse i takon kësaj gjykate që të japë vendime për raste të tilla.

Në vendim thuhet se për kontrollin kushtetues të Vendimit të Këshillit B numër 50 të vitit 2020 nuk u arrit kuorumi i nevojshëm ligjor, pasi qëndrimet e gjyqtarëve u ndanë, për sa i takon juridiksionit të Gjykatës në lidhje me këtë akt.

Në këtë kuptim, Gjykata vëren se, sipas ligjit, kur nuk formohet shumica prej 5 gjyqtarësh, kërkesa konsiderohet e rrëzuar. Për rrjedhojë, në kushtet kur nuk u arrit shumica e votave në lidhje me juridiksionin e Gjykatës për shqyrtimin e VKB-së së lartpërmendur, ky kërkim konsiderohet i rrëzuar pa u shqyrtuar bazueshmëria e tij”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Top Channel