Tragjedia në Velipojë/ Në ditën që motra përcillet për në banesën e fundit, ndërron jetë vajza tjetër e familjes Gjoka

16/07/2021 17:32

Daniela Gjoka nuk arriti të veshë fustanin e bardhë ndërsa sot u përcoll për në banesën e fundit.

19-vjeçare ndërroi jetë pas plagëve të rënda të marra nga shpërthimi i bombolës së gazit, në hotelin në pronësi të familjes së saj në Velipojë.

Akoma më i rëndë është lajmi se, gjatë kohës së varrimit të së motrës, ka ndërruar jetë edhe Klarisa Gjoka. E mitura ndodhej në gjendje të rëndë për jetën dhe fatkeqësisht nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra nga incidenti i ndodhur më 4 korrik.

Vajzat, që morën plagë të rënda nga djegia në Velipojë, nuk i mbijetuan dot plagëve pavarësisht mjekimit në Itali.

Danjela Gjoka

Daniela do të martohej në muajin gusht por ngjarja aksidentale në hotelin e familjes në Velipojë, e cila mund të parandalohej, i mori jetën tragjikisht.

Zjarri i shkaktuar nga një bombol kampingu plagosi rëndë nënën e saj dhe dy fëmijët e mitur të familjes Gjoka, njëra prej të cilëve u nda sot nga jeta.

Si ndodhi ngjarja?

Kryefamiljarja Alketa Gjoka 40 vjeç, ka tentuar të ndezë një prej bombolave të gazit, e cila ka pasur rrjedhje dhe ka shpërthyer.

Flakët kanë përfshirë dhomën, por edhe të gjithë hotelin duke plagosur rëndë 4 anëtarët e familjes Gjoka, 40-vjeçaren dhe vajzat: Danjela Gjoka 19 vjeç si dhe dy fëmijët e mitur 15 dhe 12 vjeç.

Ato fillimisht u transportuan për në spitalin e Shkodrës, por më pas për shkak të plagëve të marra janë nisur për në Tiranë dhe më pas në Itali.

Në ato momente shpëtimi nga flakët ishte hedhja në pishinë, kur shihnin hotelin të shkrumbohej, por mjekët jashtë kamerave thanë se uji me klor në fakt nuk i ka ndihmuar por u ka dëmtuar lëkurën, ndërsa djegia e tyre konsiderohet e gradës së tretë mbi 80%.

Top Channel