Një ngjarje e rëndë është shënuar në orët e para të mëngjesit të sotëm në brigjet jugore të Qipros.

Një motoskaf i Rojes Bregdetare turke ka hapur zjarr ndaj një skafi të vogël të Marinës Detare të Qipros, duke e detyruar atë të kthehet në bazë dhe të braktisë zonën ku patrullonte.

Kjo ngjarje është shënuar rreth orës 03:30 të mëngjesit. Sipas zëdhënësit të shtypit të policisë, skafi i vogël i Marinës Detare me tre persona në bord patrullonte në zonë me barka me refugjatë klandestine rreth 11 milje larg bregut.
Pak më vonë, një motoskaf i Rojes Bregdetare turke i është afruar dhe e ka ndjekur duke e qëlluar me breshëri plumbash për ta trembur.

Ndjekja dhe incidenti provokues sipas autoriteteve qipriotë ka vazhduar derisa skafi i vogël është kthyer në bazën e tij.

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Qipros ka deklaruar se nuk bëhet fjalë për një incident të zakonshëm dhe se çështja po hetohet në mënyrë që të procedohet sipas ligjeve ndërkombëtare.

Incidenti ndodh vetëm disa orë para vizitës së presidentit turk, Rexhep Tayip Erdogan në Qipron Veriore të pushtuar, që njihet vetëm nga Ankaraja, në një moment kur bisedimet për zgjidhjen e çështjes qipriote midis palëve ndodhen përsëri në ngërç.

Sipas BBC, presidenti turk do të deklarojë në vizitën e tij mundësinë e njoftimit të zbulimit të gazit natyror në ujërat territoriale të Qipros, ndryshimin e statusit të zonës së mbyllur të Varoshes dhe krijimin e një baze të përhershme ushtarake në ishull në zonën e Lefkonikos. Athina dhe Nikosia e shohin vizitën e Erdoganit ne 19-20 korrik ne Qipron Veriore si nje provokim, pasi behet ne përvjetorin e pushtimit te saj ne vitin 1974 dhe e konsiderojnë ketë vizite te paligjshme.

Top Channel