Policia Angleze arrestoi katër persona që kanë lidhje me mesazhet ofenduese në internet ndaj futbollistëve të përfaqësueses së “Tre Luanëve”.
Menjëherë pas humbjes së dhimbshme të kombëtares angleze në finalen e edicionit të 16-të të Kampionatit Evropian ndaj përfaqësueses së Italisë, tre lojtarët që gabuan në gjuajtjet e tyre të 11-metërshave u shënjestruan gjatë në rrjet, duke u sulmuar me postime abuzive, me sfond të qartë racizmi. Bëhet fjalë për futbollistët Marcus Rashford, Jadon Sancho dhe Bukayo Saka dhe lajmi i arrestimit të këtyre personave u konfirmua gjithashtu edhe nga Njësia e Posacme e Policisë për Futbollin në Mbretërinë e Bashkuar, që ishte marrë edhe me hetimin paraprak të këtyre njerëzve.
Gjithcka u bë e ditur nga “Press Association Media”, Agjencia Kombëtare e Lajmeve për Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandën, që raportoi se kishte marrë një deklaratë të veçantë nga organet kompetente, ku konfirmohej fakti se pas disfatës me skuadrën “axurre” kishin vërshuar në rrjetet online, në platformat e ndryshme Facebook, Instagram dhe Twitter komente raciste mbi lojtarët me ngjyrë të përfaqësueses angleze.
Për momentin janë kryer vetëm katër arrestime nga policitë vendore, ndërkohë po hetohet gjithashtu edhe në lidhje me të dhënat që disponohen rreth një duzine me mesazhe që po gjurmohen në rrjet. Krerët e ndryshëm të Këshillit Drejtues të Policisë Kombëtare për Futbollin i kanë cilësuar si tepër të poshtra këto mesazhe apo komente, që kanë habitur mbarë opinionin publik në ishull.
Një grup i posacëm nga UKFPU, pra njësia e vecantë e Policisë së Mbretërisë së Bashkuar, që merret me futbollin, është duke hetuar me akuzën e krimit të urrejtjes dhe dallimit racial rreth gjithë provave që janë grumbulluar nga një grup pune i posaçëm, që po merret me këtë çështje tepër delikate. Të gjithë këto postime abuzive do të kalojnë në një filtër dhe më pas do të ngrihen edhe akuzat përkatëse.
Drejtuesit e UKFPU kanë shpjeguar edhe procedurën dhe rrugën që ndiqet në të tilla raste. Kështu me t’u zbuluar detajet në rrjet të këtyre shkelësve, menjëherë pas identifikimit të dhënat e tyre i kalohen forcave lokale të policisë për një investigim të mëtejshëm. Në vazhdim të dhënat personale të gjithë këtyre personave përcillen në Prokurori, për ndjekje penale.
Ditën e mërkurë Kryeministri Boris Johnson foli rreth nevojës që ka vendi për të forcuar ligjin dhe shtrënguar akoma më shumë masat, sidomos ndaj ofendimeve online. Në këtë mënyrë urdhrat e ndalimit shërbejnë për përjashtimin e tifozëve nga shkallët e stadiumeve, për një periudhë kohe që shtrihet nga 3 deri në 10 vjet.
Drejtuesit e Njësisë së Vecantë të Policisë së Mbretërisë së Bashkuar që kujdeset për futbollin qartësuan ditën e martë se gjatë 24 orëve që shoqëruan takimin final Angli – Itali në Stadiumin Wembley u evidentuan plot 897 incidente, ndërkohë 264 vetë u arrestuan nga policitë vendore anembanë Ishullit, për trazirat e shkaktuara. Shumë vetë shkelën procedurat e sigurisë rreth e rrotull impiantit mitik londinez dhe një gjë e tillë e rriti në 2.344 numrin e përgjithshëm të incidenteve përgjatë gjithë këtij Evropiani, duke e çuar në plot 630 numrin e personave të arrestuar.
Vetë krerët e Policisë Metropolitane iu përgjigjën të mërkurën në mbrëmje kritikave dhe pakënaqësive të shumta nëpërmjet një deklarate, ku drejtuesit u mbrojtën në lidhje me faktin e shkeljeve tepër të rënda dhe hyrjes në stadium të shumë njerëzve, që nuk ishin të pajisur me bileta. Në mënyrë të habitshme situata doli jashtë kontrollit dhe më pas u nevojit ndërhyrja e menjëhershme e oficerëve të Policisë Metropolitane për të rikthyer rregullin, sepse përndryshe një kaos i tillë do të influenconte edhe në mbarëvajtjen e finales, apo qoftë edhe në anulimin e ndeshjes. Futbollistët e prekur nga këto komente kanë marrë mesazhe e komente të shumta solidariteti, nga anembanë vendit si dhe postime pikërisht në mbështetje të gjithë lojtarëve të tjerë me ngjyrë të kombëtares angleze, për të luftuar fenomenin e rëndë të racizmit./SuperSport/
Top Channel