Pranga ish-drejtorit të postës/ Korçë, nënshkroi kontrata fiktive QIRAJE. Abuzimi 23 milionë lekë

15/07/2021 12:03
Foto ilustruese

Ish-drejtori dhe ish-specialisti i sigurisë pranë Postës Korçë janë arrestuar pasi dyshohet se shpërdoruan detyrën, duke falsifikuar kontrata qiramarrjeje për ambiente të cilat do të përdoreshin nga Posta Shqiptare në filialet Korçë, Maliq, dhe Pogradec.

Ndërsa për ndaj 7 ish-punonjësve të tjerë është vendosur masa shtrënguese “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë. Një tjetër person është shpallur në kërkim.

Pas një hetimi disa mujor rezulton se nëntë shtetasit e mësipërm, duke ushtruar detyrat e tyre pranë Postës Shqiptare në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë falsifikuar dokumente duke kryer përcaktime subjektive të ofertave në dobi të personave të ndryshëm, kanë firmosur kontrata fiktive me tejkalime afatesh, kanë nënshkruar kontrata abuzive për dhënie ambientesh me qira në funksion të këtij institucioni, prej të cilave ish-drejtori ka përfituar shuma të konsiderueshme.

Në vijim të veprimeve procedurale është provuar se shuma totale e përfituar si paradhënie nga qiradhënësit është 23.535.000 lekë, shpenzim ky i paargumentuar mbi fondet e programuara të këtij institucioni.

Top Channel