Në restorante me pasaportë vaksinimi/ Rregullat e reja në Greqi, kërkohet test negativ anti Covid. Nisin protestat kundër qeverisë

15/07/2021 01:21

Duke filluar nga dita e premte 16 korrik të gjithë klientët që hyjnë në restorante të mbyllura, bare dhe kafene në Greqi do t’u kërkohet ose certifikata e vaksinimit të plotë kundër COVID-19 ose një test negativ i tre ditëve të fundit.

Ky rregull do të jetë edhe për klubet e natës, kinematë dhe teatrot deri në fund të gushtit, ndërsa të gjithë klientët në bare dhe restorante të mbyllura do të duhet të jenë të ulur.

Një aplikacion i lançuar nga qeveria, i cili mund të skanojë certifikatat dixhitale evropiane të vaksinimit ose rezultatet e testeve molekulare është tashmë në dispozicion për të siguruar hyrjen e të vaksinuarve dhe të parandalojë të pavaksinuarit. Bëhet fjalë për një prej masave të reja që ka marrë qeveria greke në një moment kur variacioni Delta i koronavirusit ka shkaktuar një rritje rekord të numrit të rasteve të përditshme që kanë shkuar në mbi 3000, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se në mesin e gushtit mund të kemi nga 15-20000 infektime ditore.

‘Dua t’u them të gjithë atyre që punojnë në sektorin e turizmit, “industrisë sonë të rëndë” dhe profesioneve që lidhen me të, se është thelbësore për ekonominë greke të mos krijohet përshtypja se Greqia po humbet kontrollin e pandemisë’- tha Adonis Georgiadis, ministër i Zhvillimit. Ekspertët e turizmit thonë se vaksinimi është thelbësor për këtë sezon në mënyrë që turistët të vërshojnë përsëri dhe Ministria e Turizmit ka hedhur poshtë pretendimet se mbërritjet e turistëve kanë kontribuar javët e fundit në rritjen e rasteve të reja të koronavirusit .

Greqia ka pasur një start të mirë në procesin e vaksinimit, por së fundmi vihet re një ngërç. Mbrëmjen e së mërkurës në Athinë të paktën 5 mijë qytetarë kanë protestuar kundër vaksinimit të detyruar duke hedhur parrulla antiqeveritare dhe nacionaliste. Edhe në Selanik disa qindra vetë kanë marshuar në qendër të qytetit duke bërtitur “Poshtë junta e Mitsotakit”. Protesta të ngjashme u zhvilluan në Iraklio të Kretës, në Volos, Patra Drame, Korinth e Janinë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA