Merkel: Do të bëhet gjithçka për gjetjen e të zhdukurve nga përmbytjet

15/07/2021 18:19

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se do të bëhet gjithçka e mundur për të gjetur të gjithë njerëzit e zhdukur nga përmbytjet në Gjermani.

Policia gjermane tha të enjten se së paku 42 vetë kanë humbur jetën dhe disa të tjerë mbeten të zhdukur si pasojë e përmbytjeve që kanë përfshirë landet Rajnland Falc dhe Nordrajn Vesthalen.

Merkel, e cila ndodhet për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara, tha se është në kontakt të vazhdueshëm me ministrin e Brendshëm gjerman dhe me ministrin e Financave për mbështetjen që mund të ofrojë Qeveria federale.

“Këtu në Uashington, mendimet e mia janë me njerëzit në vendin tonë”, tha Merkel, duke shprehur ngushëllimet e saj për të vdekurit.

“Nuk e dimë ende numrin, por do të ketë shumë – disa në bodrume të shtëpive, disa si zjarrfikës – që përpiqen të shpëtojnë të tjerë. Do të bëhet gjithçka e mundur për të gjetur njerëzit që ende janë të zhdukur”, tha Merkel.

Përmbytjet vijnë pas reshjeve rekorde në disa pjesë të Evropës. Ato kanë goditur rëndë edhe Belgjikën e Holandën.

Autoritetet belge raportuan për së paku katër viktima.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA