PD do ndryshojë statutin/ Diskutohen sot ndryshimet, propozimet që janë bërë

14/07/2021 09:14

Humbja e zgjedhjeve i hapi rrugë reformimit të thellë të partisë më të madhe në opozitë, proces i cili parashikon jo vetëm zgjedhjen e organeve te reja drejtuese para mbarimit te mandatit zyrtar, por edhe ndryshime statutore.

Lulzim Basha kërkon që statuti i ri të vazhdojë të mos jetë pengesë për rikandidimin e tij në krye të PD edhe nëse ai humbet sërish zgjedhjet parlamentare.

Në asnjë prej 15 faqeve te propozimeve të kryedemokratit nuk parashikohet dorëheqja e tij si kryetar në rast disfate elektorale.

Lidershipi demokrat i kufizon vetes kompetencat për përzgjedhjen e kryebashkiakëve duke sanksionuar detyrimin e konsultimit me anëtarësinë për kandidatët për pushtetin vendor, të cilët propozohen më pas nga kryetari dhe marrin miratimin e forumeve te larta të partisë.

Ndryshimet statutore të Lulzim Bashës prekin përbërjen e disa forumeve më të larta të partisë si këshilli kombëtar apo Kryesia e cila zgjerohet sërish duke përfshirë si anëtarë të saj për shkak të funksionit, kryetarin e Këshillit Kombëtar, si edhe kryetarët e Bordit Financiar, Komisionit Zgjedhor dhe atij të Apelimit , integritetit dhe Etikes.

Kryesia e partisë mund të ndërhyjë në refuzimin e kandidaturave të përzgjedhura nga organet vendore të partisë, por nga ana tjetër i kufizohen kompetencat pasi i hiqet e drejta për miratimin e marrëveshje politike, duka ia lënë vulën finale vetëm Këshillit Kombëtar.

Ndërsa ish-kandidati për kryetar të PD-së, Fatbardh Kadilli në propozimin e tij ka listuar të gjitha pikat, mes të cilave për kryetarin e partisë duhet të jetë kusht që të fitojë zgjedhjet, në të kundërtën do duhet që të lërë drejtimin e partisë, pa pasur të drejtë të marrë pjesë në garën e radhës.

“Një parti më të madhe se Kryetari është qëllim parësor.”- shkruan Kadilli ndërsa shton se ndryshimet statutore të propozuara prej tij synojnë të çmontojnë autoritarizmin dhe paternalizmin e Kryetarit, si edhe të demokratizojnë dhe zgjerojnë partinë.

Krahas Fatbardh Kadillit, edhe grupimi për PD ka depozituar propozimet për statutin në momentin e fundit, një ditë para mbledhjes së komisionit për ndryshimet statutore.

Propozimet e plota nga grupimi i PD

Sot kam paraqitur pranë Komisionit të Përhershëm Statutor propozime dhe argumenta mbi disa ndryshime statutore në Partinë Demokratike.

Në vitin 2017 në cilësinë e anëtares së Këshillit Kombëtar të PD-së, unë dorëzova pranë Sekretariatit të Partisë Demokratike një projekt Statut, i cili synonte demokratizmin e Partisë Demokratike, hapjen dhe bashkimin e saj, konkurencën e lirë në Parti, vendimarrjen kolegjiale, kufizimin e mandatit dhe vendimarrjes personale të kryetarit të partisë, organe të reja drejtuese për Këshillin Kombëtar dhe Kuvendin Kombëtar, si dhe një qasje të re ideologjike të partisë si parti e djathtë. Ndryshimet statutore të propozuara në 2017 bashkë me Z. Edvin Kulluri nuk u morrën parasysh.

Mbi të gjitha, përsa kohë që çdo lloj norme statutore shkelet rëndom në partinë tonë, nuk e shoh të arsyeshme të bëhen ndryshime të tjera në këtë Statut.

Megjithatë, duke patur parasysh situatën aktuale me të cilën po përballet PDSH-ja pas humbjes së zgjedhjeve të 25 prillit dhe mosmarrjes së përgjegjësive për humbjen e rradhës, si dhe zgjedhjet për kryetar partie të kërkuara dhe të zhvilluara me urgjencë, pa barazi dhe pa transparencë në 13 qershor 2021; duke pasur parasysh vendimin e Kryesisë së Partisë Demokratike të datës 18 qershor 2021 mbi mbledhjen e Kuvendit Kombëtar në 17 korrik 2021 dhe zgjedhjen e Këshillit të ri Kombëtar, pavarësisht shkeljes së nenit 50 të Statutit aktual të PDSH-së, i cili parashikon se organet drejtuese të Këshillit Kombëtar kanë mandat katërvjeçar, si dhe duke patur parasysh që disa propozime tashmë janë dorëzuar dhe Komisioni i Përhershëm Statutor duket që do të shkoj drejt ndryshimeve statutore përsëri propozova disa ndryshime sa më poshtë:

1.Sot, kur ne kemi tre zgjedhje të humbura dhe jemi jashtë pushtetit qëndror dhe vendor për arsye të vendimarrjes së gabuar politike të Kryetarit dhe disa mbështetësve të tij, do të duhej që ne ta kufizojmë mandatin e Kryetarit të Partisë vetëm në një palë zgjedhje të humbura, sepse përfundimisht dikush duhet të mbajë përgjegjësi për humbjet e njëpasnjëshme të partisë sonë. Si është e mundur që prej vitit 2013, janë larguar nga strukturat drejtuese të partisë me qindra kryetarë degësh, qindra anëtarë të Këshillit Kombëtar, dhjetra anëtarë të Kryesisë së PDSH-së dhe disa Sekretarë të Përgjithshëm ndërkohë që Kryetari i Partisë nuk ka mbajtur asnjë përgjegjësi për dështimet e PDSH-së dhe për premtimet e pambajtura?

2.Ne duhet ti kthejmë Partinë anëtarëve të saj, pasi sot kjo parti ka vetëm një vendimarrje dhe kjo është e Kryetarit dhe në pak raste e Kryesisë së zgjedhur prej tij. Për këtë arsye ne duhet të sanksionojmë në Statut se vendimarrja për çdo marrëveshje politike, koalicion para apo pas zgjedhor dhe nisëm të rëndësishme politike duhet të jetë atribut vetëm i Këshillit Kombëtar të PDSH-së, si përfaqësues i drejtpërdrejtë i vullnetit të anëtarësisë së Partisë Demokratike. Megjithëse kjo pikë u arrit të vendosej në Statutin e vitit 2017, përsëri nuk u zbatua asnjëherë, pasi disa marrëveshje të rëndësishme politike dhe koalicione para dhe pas zgjedhore u vendosën pa miratimin e Këshillit Kombëtar të PDSH-së dhe madje edhe të Kryesisë së Partisë.

3.Zgjedhja e kandidatëve për deputet, anëtarë të këshillave bashkiake, kryetar bashkie duhet të jetë e lidhur drejtpërdrejtë me anëtarin e Partisë Demokratike dhe jo të emërohen nga Kryetari i Partisë. Në zgjedhjet e 25 prillit 2021, ishin të panumërta rastet kur u shkel në mënyrë flagrante statuti i partisë, madje edhe premtimet e bëra më parë nga vetë Kryetari i Partisë për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë. Lista e përgatitur nga Komisioni i Vlerësimit të Kandidaturave, megjithëse me një proçes të anatemuar pasi ishtë proçes denigrues dhe përjashtues dhe jo vlerësues, nuk u morr parasysh. Madje në shumë raste edhe vota e demokratëve për vlerësimin e kandidaturave u shpërfill dhe u tjetërsua nga vendimarrja e Kryetarit të Partisë. Zëri i demokratëve të thjeshtë, punëtorëve të partisë prej vitesh duhet të dëgjohet dhe ai duhet të jetë i vetmi pushtet në Partinë tone, pasi anëtarësia e Partisë, dega, grup seksioni dhe seksioni janë ata që njohin më mirë problemet reale të Partisë dhe të qeverisjes sot dhe pikërisht duhet të jenë ata që duhet të vendosin për kandidaturat që vlerësohen nga anëtarësia dhe shoqëria. Kryetarët e degëve dhe strukturat lokale të partisë nuk mund të neglizhohen në asnjë mënyrë në procesin e vendimarrjes dhe nuk mund të sfidohen nga besnikë të kryetarit të partisë, që emërohen në periudha parazgjedhore si koordinatorë politikë në qarqe.

4.Këshillit Kombëtar duhet të jetë forumi më i lartë vendimarrës i partisë sonë. Ai duhet të jetë përfaqësues, i kufizuar në numër, dhe i përbërë nga 120 anëtarë në përgjithësi, nga të cilët 90 prej tyre të zgjidhen me votim të drejtpërdrejtë dhe të fshehtë nga Kuvendi Kombëtar, me propozim të degëve të PDSH-së dhe jo të Kryetarit. Çdo degë e PDSH-së duhet të ketë peshën e saj reale, në vartësi të arritjeve zgjedhore, në Këshill Kombëtar dhe në Kryesitë Partisë dhe të përfaqësohet në këto dy forume me personalitete të përzgjedhura nga degët, pasi vetëm në këtë mënyrë do të mund të dëgjohet zëri i vërtetë i anëtarëve të saj. Aktualisht Kryesia e Partisë dhe Këshilli Kombëtar nuk përfaqësojnë në mënyrë të vërtetë degët e saj. Çdo propozim për të bërë anëtarë të përhershëm të Këshillit Kombëtar deputetët e zgjedhur të listës së Kryetarit, dhe kolegjin e kryetarëve, e zhbën zërin e vërtetë të anëtarësisë dhe vazhdon ta mbajë Partinë në forum të Kryetarit të saj.

5.Këshilli Kombëtar duhet të ketë në përbërjen e tij edhe anëtarë të diasporës shqiptare në botë të cilët mund ti propozohen Kuvendit Kombëtar me një numër të kufizuar nga degët e PDSH-së në Diasporë. Kjo siguron hapjen e partisë dhe konsultimin me personalitete të diasporës shqiptare të cilët në mënyrë të drejtpërdrejtë ndihmojnë në shpalosjen e programit të PDSH-së dhe politikave të saj në botë.

6.Forumet drejtuese të Këshillit Kombëtar, duhet të kenë mandat katër vjeçar dhe të jenë të pavarura nga Kryesia e Partisë dhe Kryetari i Partisë, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të sigurojmë atë që quhet kontroll dhe balancim të pushtetit dhe do të sigurojmë vendimarrje të pavarur dhe kolegjiale. Këshilli Kombëtar nuk mund të jetë organ këshillmor i Kryetarit dhe Kryesisë së Partisë, por autoriteti më i lartë vendimarrës në PDSH. Pavarësia e organeve drejtuese të Këshillit Kombëtar dhe thirrja e mbledhjeve të Këshillit duhet të jetë e drejtë e Kryetarit të Këshillit Kombëtar

7.Partia jonë duhet të kalojë në një proçes të menjëhershëm të verifikimit të anëtarësisë së saj pasi ne ndryshojmë listat e anëtarësisë në zgjedhjet për Kryetar Partie, apo zgjedhje të tjera të brendëshme në parti, duke shkelur parimin bazë të demokracisë, të Kushtetutës së vendit dhe Statutit të Partisë sonë, “e drejta për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur”. Vetëm në procesin e fundit zgjedhor për Kryetar të Partisë Demokratike janë hequr nga listat e anëtarësisë së PDSH-së me mijra demokratë dhe anëtarë të hershëm, më shumë se 28 mijë anëtarë të anëtarësisë së saj reale që prej vitit 1990, kur edhe është themeluar partia. Anëtarë të hershëm dhe të tashëm të Partisë Demokratike, themelues e qëndrestarë, janë hequr nga listat e anëtarësisë jo pa qëllim dhe kjo ka deformuar partinë tonë në strukturë, përmbajtje, thelb dhe formë.

8.Mosbërja publike e listave të Partisë Demokratike është një shkelje tjetër e parimeve themelore të së djathtës dhe demokracisë në parti. Kjo duhet të sanksionohet me një nen të posaçëm në Statutin e partisë dhe jo të fshihemi pas Ligjit për të Dhënat Personale, pasi ne nuk jemi parti të dhënash por parti individësh të lirë, të cilët kanë vendosur me dëshirën e tyre të lirë të jenë pjesë e kësaj organizate politike dhe kjo divizë është e sanksionuar që në statutin e parë të PDSH-së në vitin 1991.

9.Komisioni i Apelimit në Partinë Demokratike duhet të jetë një organ më vete dhe plotësisht funksional. Me anë të këtij komisioni duhet ti garantohet e drejta çdo anëtari të PDSH-së që të apelojë vendimet në rast shkeljesh. Ky Komision duhet të jetë funksional gjatë çdo mandati të Kuvendit Kombëtar dhe të propozohet nga Këshilli Kombëtari PDSH-së.

10.Partia Demokratike duhet të ketë një Rregullore të Breshndëshme për funksionalizimin e Statutit të saj dhe kjo rregullore duhet të miratohet në mbledhjen e parë të Këshillit Kombëtar, pas konstituimit të tij. Përvoja e deritanishme ka treguar se PDSH-ja, në kundërshtim me Statutin e saj, është drejtuar pa rregullore të brendëshme dhe me rregullore ad-hoc të përgatitura nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë, apo Kryesia e Partisë, sa here që Kryetari apo Kryesia është vendosur para përgjegjësisë së mos kryerjes së funksioneve të tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA