Mijëra kubanë protestuan të dielën në demonstratat më të mëdha anti-qeveritare në dekada, ndërsa qytetarët shprehën zhgënjimin me krizën ekonomike dhe reagimin e qeverisë ndaj pandemisë së koronavirusit. Protestuesit brohoritën parulla për lirinë dhe unitetin ndërsa parakaluan në kryeqytetin kuban, Havana. Policia shpërndau protestuesit dhe kreu disa arrestime.
Protestuesit dolën në rrugë edhe në pjesë të tjera të vendit, përfshirë edhe qytetin San Antonio de los Banos, afër Havanës, duke shprehur zemërimin e tyre për radhët e gjata të pritjeve për ushqim, ndërprerjet e energjisë elektrike dhe problemet me furnizimin me ilaçe.
Kuba po përjeton periudhën më të rëndë të përballjes me pandeminë e koronavirusit. Zyrtarët shëndetësorë raportuan të dielën një rekord prej 6 mijë e 923 infektimesh dhe 47 raste të vdekjes. Presidenti kuban, Miguel Díaz-Canel, vizitoi San Antonio de los Banos të dielën dhe pranoi se njerëzit kishin dalë të shprehnin zhgënjimin e tyre, por fajësoi një fushatë të mediave sociale “të mafies kubano-amerikane” për trazirat.
Ai fajësoi gjithashtu Shtetet e Bashkuara, të cilat në kohën e ish presidentit Donald Trump, rivendosën një embargo tregtare ndaj Kubës. Zyrtarët amerikanë shprehën mbështetje për protestuesit anti-qeveritarë të dielën dhe paralajmëruan kundër dhunës. “Protestat paqësore po rriten në Kubë ndërsa populli kuban ushtron të drejtën e tij për tubime paqësore për të shprehur shqetësimin në lidhje me rastet e vdekjeve nga COVID-19 dhe mungesës së ilaçeve”, shkroi Julie Chung, ndihmës sekretare amerikane e shtetit për çështjet e hemisferës perëndimore.
Duke shpërndarë postimin e zonjës Chung, Këshilltari për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan, tha se Shtetet e Bashkuara “mbështesin lirinë e shprehjes dhe tubimit në të gjithë Kubën dhe do të dënojnë me forcë çdo dhunë ose shënjestërim të protestuesve paqësorë që po ushtrojnë të drejtat e tyre universale”.
Carlos Fernandez de Cossio, zyrtari më i lartë kuban i ngarkuar me marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, akuzoi Departamentin amerikan të Shtetit dhe zyrtarët e tij për “promovimin e paqëndrueshmërisë sociale dhe politike në Kubë”, dhe tha se ata duhet të “shmangin shprehjen e shqetësimit hipokrit për një situatë për të cilën kanë vënë bast”. “Kuba është dhe do të vazhdojë të jetë një vend paqësor ndryshe nga Shtetet e Bashkuara”, shkroi ai të dielën./VOA
Top Channel