Ndeshja miqësore që nxiti tension diplomatik mes Turqisë dhe Greqisë/ Incideti nisi me mos pranimin e testeve anti Covid

13/07/2021 12:01

Një ndeshje miqësore midis Olympiakosit të Athinës dhe ekipit turk të Galatasaray duket se ka çuar përsëri në një rritje të tensionit diplomatik midis Greqisë e Turqisë.

Gjithçka ka filluar, kur sapo ka mbërritur në aeroportin e Athinës ekipi turk, organet greke nuk kane pranuar testet molekulare PCR të pjesëtarëve të tij dhe u kanë kërkuar të ktheheshin në Turqi.

Përfaqësuesit e ekipit turk kanë akuzuar organet greke për një sjellje arrogante dhe në deklaratën për shtyp thuhet : “Një zyrtar grek, me një qëndrim shumë negativ dhe arrogant, na tha se nuk pranohen testes PCR dhe se duhej t’u nënshtroheshim përsëri testeve në aeroport, duke zbritur me pas nga autobusi të gjithë lojtaret që kishin kaluar nga kontrolli i pasaportave. Megjithëse ekziston një protokoll midis dy vendeve për njohjen e ndërsjellë të testeve PCR, na u kërkua që disa prej nesh të ribëjmë përsëri testin. Pasi pritëm në aeroport për rreth dy orë, ekipi vendosi të kthehej në Stamboll, pasi problemi nuk mund të zgjidhej në asnjë mënyrë“.

Në të njëjtën kohë, sipas Ministrisë së Jashtme Turke, ministri i Jashtëm Mevlüt Çavuşoglu pati një bisedë telefonike me homologun e tij grek Nikos Dendias duke ju referuar sjelljes sipas tij “arbitrare” ndaj ekipit të futbollit Galatasaray në aeroportin e Athinës.

Ndërsa ekipi turk nga ana e tij, kërkon nga autoritetet greke që të kërkojnë falje për këtë trajtim, presidenti i Galatasaray Burak Elmas e ka quajtur incidentin “politik”. “Kjo është një ngjarje politike dhe nga ana e ekipit te Olympikosit kanë deklaruar se ndihen në siklet për atë që ka ndodhur“, ka thënë ai në mediat turke.

Nga ana e tij, zv/Ministri i Mbrojtjes Civile dhe Menaxhimit të Krizave Nikos Hardhalias ka deklaruar në lidhje me ngjarjen se në rastin e Galatasaray kodi QR i deklaratës së formularit të hyrjes PLF tregoi se duhej një test i shpejtë molekular i detyrueshëm për të gjithë ekipin. “Mbrojtja Civile madje aktivizoi mekanizmin e saj, në mënyrë që të kishte dhe ekip shtese mjekësor që të mos vonoheshin lojtarët turq, por ata refuzuan dhe pas kësaj me urdhrin tim ata nuk janë lejuar të hyjnë në Greqi”, ka thënë ai.
Kujtojmë se para katër ditësh Gazeta e Redaktorëve, një media opozitare, ka akuzuar zv/ministrin në fjale se në tetorin e kaluar, një periudhe kritike për pandeminë në vend, ka dhënë urdhër që të hyje në Greqi nga aeroporti i Athinës ekipi turk i basketbollit të Fenerbahce për ndeshjen e “Euroleague” me Panathinaikos, pavarësisht se 4 prej tyre ishin me temperaturë.

Përveç urdhrit te zv/ministrit, gazeta në mesazhet telefonike të botuara mes zyrtarit të Mbrojtjes Civile me shefin e shërbimit në aeroport , ajo që ka shkaktuar edhe reagime politike është fakti se njëri prej tyre i thotë tjetrit, që mos përdorë celularin e tij personal, por celularin pakistanez, duke hedhur hije dyshimi për mënyrën e funksionimit të organeve të kësaj ministrie. Zv/ministrNikos Hardhalias ka deklaruar se do ta hedhë në gjyq gazetën.

Top Channel