Top Channel mëson detaje të reja nga operacioni policor që po zhvillohet në portin e Durrësit ku deri më tani janë zbuluar 14 pako me kokainë.
Ndryshe nga herët e tjera ku kokaina ishte e fshehur në dyshemenë apo muret anësore të kontenierëve, trafikantët kësaj herë kanë tentuar ta sjellin drogën përmes një vend fshehje të ri.
Burime policore nga ky operacion i thanë Top Channel se sasia e kapur sot ishte e fshehur në trupin e kontenierit pranë motorrit të kondicionerit.
Një rast i ngjashëm si ky i sotmi është zbuluar po në portin e Durrësit, tre vite më parë.
Operacioni i sotëm fillimisht u inicua nga shërbimet e përforcuara të policisë së kufirit në portin e Durrësit me prioritet shtimin e masave kontrolluese për parandalimin e trafikut të kokainës që vjen nga Amerika Latine drejt vendit tonë.
Top Channel