Me një gjuhë të ashpër ndaj atyre që refuzojnë ose hezitojnë të vaksinohen, kryeministri Mitsotakis në një mesazh televiziv mbrëmjen e së hënës, ka njoftuar rregullat e reja për vaksinim të detyruar të të punësuarve në sektorë të veçantë shtetërorë apo privatë, duke theksuar se synimi i qeverisë së tij është që në mes të verës të jenë vaksinuar 70% e qytetarëve.
‘Bëhet i detyrueshëm vaksinimi i menjëhershëm i të punësuarve në azilet e pleqve, që janë kategoria më e prekshme. Ata që nuk e bëjnë këtë do të pezullohen nga puna nga 16 gushti e tutje. Nga 1 shtatori, vaksinimi i detyrueshëm do të zbatohet edhe për personelin mjekësor në sektorin publik dhe privat’- tha Mitsotakis.
Në një moment kur në Greqi janë vaksinuar 5.3 milion me një dozë dhe 4.4 mln plotësisht, ndërsa varianti Delta i koronavirusit po përhapet gjithnjë e më shumë, kryeministri grek, ka theksuar se vendi nuk do të mbyllet përsëri nga qëndrimi i disa personave dhe se vetëm vaksinimi do të rikthejë normalitetin, ndaj dhe qeveria jep lehtësime për të gjithë të vaksinuarit.
‘Sigurohet një dispozitë e veçantë për Forcat e Armatosura. Tani e tutje, personat e përhershëm dhe të rekrutuarit do të kenë mundësinë, por edhe stimuj, të vaksinohen në njësitë e tyre. Nga dita e premte deri në fund të Gushtit, të gjitha ambientet e mbyllura, klubet e natës dhe baret, kinematë dhe teatrot, do të funskionojnë ekskluzivisht për të vaksinuarit’- vijoi kryeministri grek.
Për të pestën ditë në Greqi janë regjistruar mbi 2000 raste me koronavirus, të intubuarit vazhdojnë të jenë rreth 140, ndërsa ka një rënie të numrit të viktimave. Ndërsa kryeministri Mitsotakis ka theksuar gjithashtu se ekonomia po merr veten dhe numri i mbërritjeve të turistëve në aeroportin e Athinës ka prekur 50% të atyre të vitit 2019, në një fjalim nga qyteti i Selanikut kreu i opozitës Aleksis Tsipras e ka konsideruar qeverinë të paaftë dhe për herë të parë pas dy vitesh, ka kërkuar zgjedhje të parakohshme.
Top Channel