Përdhunohej prej vitesh nga babai dhe së fundmi nga polici/ Historia që po trondit opinionin publik grek

12/07/2021 11:06

Opinioni publik në Greqi është tronditur nga historia e një vajze 18 vjeçe, nga lagjja Ilioupoli e Athinës, e cila përdhunohej për vite me radhë nga babai i saj dhe muajt e fundit nga një oficer policie që e detyronte të prostituonte dhe e mbante të mbyllur në shtëpinë e tij.

Rasti në fjale është mësuar dhe publikuar orët e fundit, pasi 18-vjeçarja mundi të largohej nga shtëpia ku mbahej me forcë, duke i dhënë fund viteve të abuzimit seksual dhe makthit të përdhunimit nga ana e babait të saj.

Ajo ka mundur të largohet dhe t’u zbulojë autoriteteve atë që kishte përjetuar, të shtunën në mbrëmje në një moment kur oficeri i policisë, 39 vjeç që e mbante të burgosur për muaj me radhë, nuk ka qenë në shtëpi.
Sipas dëshmive rrënqethëse të saj , nga mosha 11 vjeç i ati abuzonte seksualisht ndaj saj dhe çastet e tmerrshme kanë zgajtur deri në moshën 17-vjeçare, kur vendosi të largohej nga shtëpia.
Por përsëri ajo ka rënë pre e orekseve të sëmura, kësaj here të një polici, i cili me dhunë dhe kërcënime e mbajti peng në shtëpinë e tij dhe e detyronte atë të prostituonte, madje nën efektin e lëndëve narkotike që ai ia jepte me forcë.

Bëhet fjale për një oficer policie që muajt e fundit ishte i pezulluar përkohësisht nga detyra, pasi ndaj tij kishte akuza të kolegëve për kërcënime dhe akte të dhunshme dhe ndodhej në procesin e një hetimi të brendshëm.

Menjëherë pas denoncimit të 18-vjeçares babai i vajzës, 54 vjeç, dhe oficeri i policisë janë arrestuar dhe janë çuar në prokurori, ku u janë dhënë mbi 14 akuza.

Çështja ka marrë edhe ngjyra politike me partine opozitare Syriza që ka akuzuar edhe një herë për paaftësi, ministrin e Mbrojtjes së Qytetarit si dhe për procedurën e deponimit të 18-vjeçares, që në ditën e parë nuk i është dhënë sipas ligjit një avokat gjatë procesit, në një përpjekje siç thuhet, për të mbuluar skandalin në fjalë.

Top Channel