T’i mbash fëmijët larg celularit/ Në pandemi u nxitën për mësimin online, gjatë pushimeve sa më shumë aktivitete

11/07/2021 11:48

“Djali i madh është 14 vjeç, i vogli 10 vjeç. Në celular qëndrojnë 1 orë në ditë. E kanë të automatizuar këtë orar. U ndalet celulari direkt edhe nëse duan të lundrojnë më gjatë. Është një domosdoshmëri të vendosësh kufij. Pasi siç i bëmë fëmijët, ashtu edhe duhet t’i rrisim me përgjegjësi”, thotë  një qytetar nga Kosova.

Nëse gjatë pandemisë, për shkak të mësimit online, ne i nxisnim fëmijët të përdornin sa më shumë celularët dhe pajisjet e tjera elektronike, tani, gjatë pushimeve verore sfida jonë është krejt tjetër, si t’i mbajmë ata sa më larg tyre.

Milena Turtulli, Eksperte Fëmijësh: Ne si prindër duhet të ulemi me fëmijët dhe t’u bëjmë një pyetje: “Sa orë mendon se duhet të kalosh në celular apo ipad, ose kompjuter?”. Fëmija kësaj pyetjeje I përgjigjet shumë sinqerisht. Dhe nëse ajo përgjigje do të merret për bazë, ai është një orar shumë i shëndetshëm për fëmijën, që të kalojë me teknologjinë. Dhe pjesën tjetër të jetë I angazhuar në aktivitete fizike, sportive, lexim librash, shëtitje, apo edhe lojëra jashtë më bashkëmoshatarët.

Nuk është ndërhyrje në privatësinë e fëmijës kontrolli ndaj tij, përkundrazi është një filtër, që ne si prindër jemi të detyruar ta vendosim, pasi bota teknologjike po aq sa është ndihmesë, mund të jetë edhe një rrezik.

“Unë kam vënë limit në instagram për 1 orë në ditë. E bëra vetë, jo prindërit. Më mjafton dhe mendoj se nuk është gjë e mirë të rrish shumë në celular, është më mirë të jetosh. Kjo pasi në celular krijohet një jetë tjetër dhe unë nuk e pëlqej atë lloj jete. Pjesën tjetër të ditës merrem me balet, pasi jam balerinë profesioniste në Gjermani. Këtu kam ardhur me pushime dy javë. Ajo që kam vënë re është që bashkëmoshatarët e mi i përdorin shumë telefonat. Unë i këshilloj që t’i përdorin më pak, është me të vërtetë shumë më mirë. Do të shihni ndryshime, unë kam parë me të vërtetë ndryshime”.

Juli Ristani

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA