Pijet industriale të mbushura plot me sheqerna janë kudo dhe konsumohen nga shumica e njerëzve, duke nisur që nga fëmijët e vegjël e deri tek më të moshuarit. Ato janë bërë aq shumë pjesë e jetës së përditshme, pavarësisht efekteve të tyre negative që po zbulohen dita ditës.
Studimet më të fundit, thonë se njerëzit që pijnë të paktën një pije të tillë në ditë, janë më të rrezikuar nga prania e yndyrnave të këqija në gjak dhe rrjedhimisht nga sëmundjet e zemrës. Pija e tepruar e këtyre lëngjeve me sheqerna artificialë nxit shfaqjen e dislipidemisë, një term që përfshin nivelet e larta të triglicerideve dhe kolesterolit të keq.
Çfarë Është Kolesteroli
Kolesteroli është një substancë e ngjashme me dyllin që prodhohet nga mëlçia. Ai ndahet në dy kategori: ai i lipoproteinës me dendësi të ulët (LDL) që është i keq dhe ai i lipoproteinës me dendësi të lartë që është i mirë. Ushqimet e përpunuara dhe pijet industriale me sheqer nxisin grumbullimin jo të shëndetshëm të kolesterolit në enët e gjakut duke i hapur rrugën sëmundjeve të zemrës.
Pijet Industriale Me Sheqer Dhe Kolesteroli
Konsumi i përditshëm i pijeve të tilla industriale rrit me 98 përqind gjasat që një njeri i shëndetshëm të ketë nivele të larta të kolesterolit të keq në gjak. Një gjë e tillë është faktor shumë i madh rreziku i aterosklerozës, atakut në zemër dhe ishemisë. Ky rreziku ulet duke ndjekur dhe zbatuar një regjim të shëndetshëm ushqimor, siç është ai Mesdhetar. Ky regjim rekomandon uljen e sasive të mishit të kuq dhe të karbohidrateve por konsumin më të rregullt të frutave, perimeve, peshkut, farave, drithërave të shëndetshme dhe yndyrnave si vaji ekstra i virgjër i ullirit. Heqja dorë nga këto pije është hapi më i duhur që mund të marrë një njeri, sepse sheqeri është fajtor për shumë probleme madhore në organizëm./AgroWeb
Top Channel