Teksa qeveria është e vendosur të çojë përpara fiskalizimin, përfaqësues të Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm kërkojnë shtyrjen e fazës së tretë të procesit, që nis më 1 shtator 2021.
Edhe pse ekzekutivi përmes një akti normativ ka vendosur mospalikimin e gjobave deri më 31 dhjetor të këtij viti, për sipërmarrjen është e pamjaftueshme pasi sipas tyre fiskalizimi do të rrisë kostot për bizneset.
“Biznesi është në krizë dhe nuk ishte momenti i duhur për fiskalizimin. Mund të bëhet pas 2-3 vitesh kur ta gjykojë qeveria dhe grupet e interest pasi të shihet ecuria. Qeveria mund të na rimbursojë kostot e fiskalizimit përmes uljes së taksave apo me forma të tjera”, shprehet Bujar Muço, nënkryetar i Shoqatës së Biznesit të Vogël/Mesëm.
Bizneset ngrenë shqetësim lidhur edhe me situatën e vështirë që po kalojnë për shkak të goditjes nga kriza e pandemisë.
“Bizneset po punojnë me kapacitete të reduktuara dhe kanë shënuar rënie të xhiros. Janë në një gjendje të vështirë”, shton Muço.
Faza e tretë e fiskalizimit përfshin transaksionet me para në dorë ndërmjet bizneseve dhe konsumatorëve dhe përbën etapën e fundit të procesit. Bizneset që nuk nisin faturimin elektronik nga 1 janari 2021 do të gjobiten.
Top Channel