Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim përmes një postimi në Twitter shprehet se investimet po rriten në vendin tonë, ndërsa korrupsioni po luftohet.
“Duke pritur për më shumë punë me Shqipërinë dhe autoritetet e Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri për të rritur investimet Amerikane në Shqipëri. Esenciale për të pasur rregulla të qarta që zbatohen për të gjithë, gjykata të pastra në rast mosmarrëveshjesh, të drejta të besueshme pronësie, transparencë në prokurimin publik. Tetorin e kaluar, ne vendosëm kuadrin për një bashkëpunim më të madh ekonomik mes SHBA-ve dhe Shqipërisë. Investimet amerikane do të rriten ndërsa korrupsioni & pengesat e tjera do hiqen. Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm ekonomik që duhet vlerësuar dhe zhvilluar plotësisht”, shkruhet në postimin e Kim.
Ambasadorja ka shpërndarë edhe një link të “Agjendës së Investimeve 2021”, një paketë me 40 rekomandime drejtuar Qeverisë dhe Parlamentit të Ri me synim përmirësimin e shpejtë të Klimës së Biznesit nga Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri.
Përmes një letre falenderimi, Presidenti i AmCham, Enio Jaço vlerësoi kontributin e lartë të anëtarëve, në evidentimin e sfidave që pengojnë mënyrën e të bërit biznes. Jaço kërkoi që anëtarët të vijojnë të përfshihen edhe në procesin e punës për kthimin e rekomandimeve në legjislacion konkret për Parlamentin e ri.
Në njoftim thuhet se agjenda e Investimeve është rezultat i punës së 10 muajve të fundit, ku Dhoma Amerikane realizoi një seri anketimesh me anëtarët e saj, ndjekur nga analiza teknike ekspertësh, për përmirësimin e klimës së investimeve. Perceptimi dhe gjetjet e anëtarëve konfirmohen dhe përputhen me gjetje të ngritura nga raporte të mirënjohura ndërkombëtare.
40 rekomandimet specifike në raport janë të organizuara në 8 themele përmirësimi të klimës së biznesit duke parashikuar sfidat, zgjidhjet dhe mundësitë e reja që krijohen.
Një qëndrim pa kompromis kundër korrupsionit me sanksione reale ndaj abuzuesve dhe monitorim transparent i llogaridhënies është me rëndësi për krijimin e besueshmërisë në publik. Rekomandimet synojnë krijimin e një sistemi transparent, efektiv dhe pa ndikim politik tek Prokurimet Publike si dhe garantimin e Konsultimit Publik efektiv, gjithëpërfshirës.
Rekomandimet synojnë rritje ekonomike duke adresuar elementë specifikë të ekonomisë. Modernizimi i sistemit të taksave konsiderohet vital për rritjen e konkurrencës dhe formalizimin e investimeve rajonale. Eksportet shqiptare përfaqësojnë mundësi të reja në periudhën post pandemike, e cila nxit domosdoshmërinë e zhvillimit të ekonomisë digjitale, ku Shqipëria duhet të krijojë kornizë bashkëkohore ligjore. Krijimi i një sistemi dinamik ekonomik kërkon aftësi të reja në burime njerëzore për të cilat Qeveria dhe sektori privat duhet të angazhohen së bashku në rritjen e shpejtë dhe të targetuar të aftësive të forcës punëtore.
Implementimi i këtyre rekomandimeve garanton ndërtimin e një klime biznesi dinamike dhe shndërrimin e Shqipërisë në një vend konkurrent në rajon. Dhoma Amerikane do jetë e gatshme të ofrojë asistencën e saj në kthimin e rekomandimeve ne legjislacion, ndërsa do të vijojë dialogun me të gjitha palët politike dhe institucionale me nisjen e Sesionit të ri Parlamentar.
Top Channel