Pas fjalës së tij në Kuvendin e Kosovës, ku diskutohej Marrëveshja e Washingtonit, kryeministri Albin Kurti është larguar nga salla, çka nxiti partitë e opozitës të reagonin të zemëruara duke e cilësuar si “jo serioze” sjelljen e tij. Kjo solli përplasje verbale mes shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri dhe deputetit të Vetëvendosjes, Haki Abazi.

Kuvendi miratoi nga ana tjetër rezolutën me të cilën dënohet genocidi në Srebrenicë të Bosnjës në korrik të vitit 1995. Në mbështetje të saj votuan 89 deputetë, ndërsa votimi u bojkotua nga deputetët e Listës serbe të cilët braktisën seancën kur filloi debati.

Në tekstin e rezolutës së miratuar “dënohet ashpër gjenocidi i regjimit serb në Srebrenicë ndaj pjesëtarëve të popullit boshnjak dhe të gjitha shkeljet e të drejtave të njeriut”.

Po ashtu rezoluta dënon “çdo tendencë për të mohuar qëllimisht dhe publikisht masakrën, me qëllim denigrimin e viktimave dhe fshehjen e motiveve të krimeve të kryera”, dhe shpall 11 korrikun ditë përkujtimi për gjenocidin në Srebrenicë.

Top Channel