Samiti i Berlinit me liderët e Ballkanit/ Rama: Nacionalizmi i BE po komplikon integrimin, minishengeni do të vazhdojë

06/07/2021 01:21

Samiti i Berlinit ka mbledhur edhe njëherë krerët e Ballkanit Perëndimor, por kësaj radhe nën drejtimin e BE-së. Ky samit theksoi përkushtimin e BE-së, pas dështimit që Unioni pati për të zhvilluar tryezën e parë ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Samiti i Berlinit ka nisur që në 2014-ën dhe pas 7 vitesh kancelarja theksoi se janë arritur disa suksese si heqja e tarifave roaming dhe krijimi i korridoreve të gjelbërta për lëvizjen e mallrave. Kryetarja e komisionit Europian Von der Leyen u shpreh se për të përshpejtuar integrimin do investohen 28 bilion euro në vitet e ardhshme. Kryeministri Rama në fjalën e tij nuk fshehu kritikat për BE-në dhe bëri thirrje që procesi integrimit rajonal të ecë më me shpejtësi:

“Faleminderit kancelares Merkel, pasi procesi që nisët ka qenë shumë i rëndësishëm për të mbajtur gjallë atë që BE po vret, flakën e shpresës. Është e trishtë dhe të gjithë e dinë që ndërsa procesi i integrimit në Europë dhe të gjithë rajonit dikur shihej si rruga e duhur që duhej ndjekur për të shtypur nacionalizmin ballkanik, është bërë një proces që po shtypet nga nacionalizmat e Europës. Nacionalizmat në BE janë duke komplikuar rrugën tonë. Shqipëria është e bindur dhe do e inkurajojë sa më shumë përshpejtimin e integrimit rajonal. Me Serbinë dhe Maqedoninë, nuk kemi vendosur të ndajmë askënd, por thjesht kemi përshpejtuar procesin”- tha Rama.

Në Samitin e Sofies liderët e Ballkanit Perëndimor ranë dakord për krijimin e tregut të përbashkët rajonal nën drejtimin e BE-së, por kryeministri Rama ka ftuar të gjashtë vendet në nismën e minishengenit. Kryeministri Kurti ndërkohë e refuzoi këtë nismë përpara kancelares Merkel dhe propozoi një Marrëveshje e Tregtisë së Lirë për Evropën Juglindore.

Top Channel