Ligji i ri rus i ‘heq flluskat’ shampanjës franceze, ndalon përdorimin e emrit (fotot)

05/07/2021 20:29

Prodhuesit kryesorë të verës franceze të rajonit Champagne, kanë kërcënuar se do të ndalojnë dërgesat në Rusi nëse hyn në fuqi ligji i që ndalon përdorimin e këtij emri për verërat jo-ruse.

Prodhuesit francezë Moet Hennessy kanë thënë se do të ndalojnë furnizimet me shampanjë në Rusi pas ligjit të ri të nënshkruar nga presidenti Vladimir Putin.

Legjislacioni thotë se fjala “shampanjë” mund të përdoret vetëm për verërat e prodhuara në Rusi, kurse pija e famshme me fluska e rajonit francez Champagne, duhet të quhet “verë e gazuar”.

Leonid Rafailov, drejtori i entit rus të shpërndarjes së pijeve tha se ka marrë letër nga prodhuesit francezë ku i njoftohet vendimi i pezullimit.

Ai shton se në përputhje me legjislacionin e nënshkruar të premten nga Putin kompania duhet të kryejë procedura të reja regjistrimi sipas specifikimeve të reja të ligjit.

Por në një deklaratë për mediat kreu i degës ruse të prodhuesve francezë, e quajti masën e pezullimit një masë “të përkohshme” deri në gjetjen e një zgjidhjeje.

Moet Hennessy është pjesë e prodhuesve të mallrave franceze të luksit LVMH e njohur për emra si Moet & Chandon, Veuve Clicquot dhe Dom Perignon.

Francezët e mbrojnë ashpër termin “champagne” për pijen e tyre, e cila prodhohet vetëm në rajonin francez me të njëjtin emër.

Eksperti rus i pijeve Vadim Drobiz sugjeroi se legjislacioni i ri ishte i hapur për interpretim por shtoi se Moet Hennessy kishin vetëm një pjesë të tregut në vend dhe se klientët e rangut të tyre të lartë mund të gjenin një zëvendësim për produktin.

“Nëse nuk ka Moet, nuk do të ketë ndonjë grusht shteti, dhe asnjë nga të pasurit nuk do të kryejnë vetëvrasje,” citohej të ketë thënë Drobiz.

Shumë komentues në rrjetet sociale bënin humor me ligjislacionin.

Pronari i njohur i restoranteve Sergei Mironov, shkruante: “Tani ndoshta është e nevojshme të ndalojmë skocezët dhe amerikanët të përdorin fjalën ‘whisky’”.

Këngëtarja e njohur vendase Vasya Oblomov tha se parlamentarët rusë mund të përdorin legjislacionin për ndryshuar përdorimin e fjalës “Mercedes” apo emrave të tjerë si këto.

Franca ka 16,200 prodhues dhe 360 shtepi prodhimi te shampanjes, me rreth 231 milione shishe te prodhuara ne vit.

Shampanja prodhohet vetem nga varietete e rrushit pinot noir, meunier dhe chardonnay. Tregu i saj ka nje vlere prej €4.2 miliarde, nga te cilat €2.6 milairde jane eksporte, ku klientet me te medhenj jane Britania dhe SHBA.

FOTO GALERI
3/3
Kurse pija e famshme me fluska e rajonit francez Champagne, duhet të quhet "verë e gazuar".

Top Channel