Burri vret gruan me thikë/ Pas krimit në Bubq të Krujës, autori tentoi të vetëvritej, ndodhet në spital  

05/07/2021 19:50

Mëngjesin e kësaj të hënë rreth orës 10:45, Bubqi u trondit nga një krim i rëndë.

51 vjeçari Artan Ismalaja me origjinë nga Kruja por me vendbanim në Tiranë vrau bashkëshorten e tij Klaritën, 45 vjeçe e më pas tentoi të vras edhe veten e gjendet në kujdesin e mjekëve në spital.

Ngjarja ndodhi brenda makinës së tyre tip “Ford” pranë një magazine larg zonës së banuar, ku ka qenë roja i këtij objekti që i ka pikasur e  ka shkuar për ti larguar, por është shokuar me pamjet e viktimës të lyer në gjak e menjëherë ka njoftuar policinë.

Pas mbërritjes së grupit hetimor të cilët morën në pyetje dëshmitarët, magazina është izoluar por brenda territorit të saj çuditërisht vijoi puna dhe zona nuk është rrethuar si skenë krimi.

Ndërsa ende nuk janë mësuar arsyet e ngjarjes, Top Channel bisedoi me banorët e Bubqit të cilët thonë se çifti nuk jetonte aty, por që mendojnë se 51 vjeçari ka  zgjedhur në mënyrë të rastësishme atë zonë të shkretuar me paramendim për të kryer vrasjen.

Top Channel