NBA/ Bucks fitojnë të pestën ndaj Hawks, një hap larg finales së madhe

03/07/2021 00:17

Milwaukee Bucks mundën Atlanta Hawks në sfidën e pestë të serisë finale të Konferencën e Lindjes, duke marrë avantazhin 3-2 me ndeshje. Skuadra nga Wisconsin triumfoi me rezultatin 112-123 dhe tani Middleton dhe shokët e tij të skuadrës janë vetëm një fitore larg finales së madhe.

Bucks do të kenë sfida në dispozicion, për t’u përballur më pas me Phoenix Suns për Unazën e NBA. Nga ana tjetër, Hawks, janë të detyruar të fitojnë takimin e radhës, që do të luhet në “State Farm Arena”, për të shpresuar më pas triumfin në parketin e Bucks në sfidën e 7-të.

Bucks dominuan ndeshjen, me një rezultat 36-22 në periodën e parë, diferencë që u menaxhua me zgjuarsi dhe vendosmëri deri në rënien e sirenës për përfundimin e takimit. Skuadra nga Georgia, në mungesa të “yllit” të ri, Trae Young, e pati të pamundur të ngushtonte hendekun dhe të ndryshonte rrjedhën e lojës.

Në këtë sukses të Bucks luajti rol kryesor Brook Lopez, që ofroi një nga performancat më të mira të karrierës së tij. Ai shënoi 33 pikë, duke qenë i saktë në 14 nga 18 tentativa në total. Nuk mbeti pas Khris Middleton me 26 pikë, 13 “rebound” dhe 8 asiste, ndërsa Holiday shtoi 25 pikë dhe 13 asiste. Sa u përket Hawks, nuk mjaftuan 28 pikët e Bogdan Bogdanovicit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA