Fundjava sjell zbutjen e të nxehtit përvëlues në Italinë fqinje.
Veriu i saj përgatitet për stuhi të forta këtë të diel, me reshje të rrëmbyera shiu dhe erëra, ndërsa në jug temperaturat do të ulen në 35 gradë Celsius.
Por armëpushimi i motit nuk do të zgjasë shumë, thonë sinoptikanët vendas. Në fakt, ata parashikojnë që nga e mërkura, zhiva e termometrit të çmendet sërish. Javën që vjen në fakt mendohet se anticikloni afrikan do të marrë hov edhe një here. Fronti i ftohtë, shkaktar i sistemit të stuhive të së dielës, do largohet drejt lindjes, duke lënë pas një paqëndrueshmëri atmosferike në rajonet e brendshme ku priten shira lokalë.
Tendenca e ditëve në vijim megjithatë është e qartë: rikthim i valës së të nxehtit me temperatura në rritje që nga e marta. Kapriçot e motit këtë javë bënë që teksa një pjesë e kontinentit të zhuritej nga një i nxehti i pazakontë për qershorin, disa pjesë të jugut të Gjermanisë, Francës e Zvicrës u përballën me stuhi të fuqishme breshëri dhe përmbytje të mëdha, ndërsa republika ceke u godit nga tornadoja më e fortë në historinë e vendit.
Top Channel