Që kur emri i tij u lakua për non-paperin fantazëm mbi ndryshimin e kufijve në Ballkan, u pa qartë se kryeministri slloven, Janez Jansa është një nga krerët më të kontestuar në BE. Sllovenia tani ka marrë presidencën e radhës së bllokut nga Portugalia, dhe që në fillim pati një provokim.
Skandali plasi në takimin e Komisionit Europian me kryeministrin slloven, Janez Jansa. Zëvendëspresidenti i Komisionit Europian, Frans Timmermans bojkotoi në mënyrë demonstrative daljen për foton e përbashkët pas bisedimeve në qytetin slloven, Kranj.
Kryeministri slloven i djathtë ishte ankuar më parë për gjykatës e deputetë komunistë në vendin e tij. Sipas pjesëmarrësve madje ishte treguar një foto, ku ishin vënë me rreth të kuq gjykatësit që kishte kritikuar Jansa. Socialdemokrati Timmermans reagoi i zemëruar, dhe i tha gazetës gjermane “Süddeutsche Zeitung”, se nuk mund të qëndronte në një podium me Janzes Jansa, pasi ai dy eurodeputetë të grupit parlamentar socialdemokrat i kishte “sulmuar dhe fyer në mënyrë të papranueshme,” thotë DW.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen i kujtoi Jansas, se gjykatësit mund të kenë biografinë e tyre, dhe ajo duhet trajtuar me respekt, edhe kur ata kanë një qëndrim tjetër politik. Sllovenia që ka marrë tani presidencën e radhës nga Portugalia kërkon të arrijë në 6 muajt e ardhshëm progres më të shpejtë në bisedimet e anëtarësimit me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Top Channel