Pas ditëve të pushimit që ndajnë raundin e 1/8 me fazën çerekfinale tetë ekipet kombëtare, që kanë mbetur akoma në garën për titull, bëhen gati për t’u afruar akoma më tepër me objektivin më të lakmuar të Kontinentit të Vjetër në rang përfaqësuesesh.
Në fazën çerekfinale të edicionit të 16-të të Europianit spikat dueli Itali – Belgjikë. Pas largimit të Francës të gjithë ekipet pjesëmarrës të krahut të sipërm të shortit ndihen të çliruar dhe befas kjo anë që konsiderohej si tepër e ndërlikuar tani duket më e thjeshtë.
Në start, për shembull, “Djajtë e Kuq” konsideroheshin si favoritët e mëdhenj pas Francës, por tri javë më vonë përfaqësuesja belge ka humbur ndjeshëm terren dhe tani skuadra e drejtuar nga trajneri Roberto Martinez kuotohet prapa Anglisë, Spanjës dhe Italisë. Në njëfarë mënyre, ka ndikuar vetë performanca e kombëtares belge, që gjithsesi pasi kaloi fazën e grupeve ia doli për të eliminuar pikërisht kampionët në fuqi.
Në këtë mënyrë nga “grupi i hekurt” nuk mbijetoi më asnjë ekip, u eliminuan me radhë vende si Franca, Portugalia apo dhe Gjermania, që kishin fituar tri aktivitet e fundit madhore, Botëror plus Europian.
Duke shtuar edhe suksesin me rezultat minimal ndaj Kroacisë në Bruksel, në një takim miqësor, gjashtë ditë përpara debutimit të tyre në këtë edicion, “Djajtë e Kuq” tashmë krenohen me pesë fitore radhazi, katër prej të cilave Belgjika i ka mbyllur pa pësuar as gol. Duke lënë mënjanë fitoren e thjeshtë me Rusinë, në takimin hapës, skuadra belge vuajti së tepërmi në Kopenhagen dhe ekipi që kryeson renditjen botërore ishte me shumë shumë fat që doli me tri pikët nga sfida me Danimarkën.
Në takimin përmbyllës me Finlandën belgët u mjaftuan me një autogol të portierit Hradecky dhe një gol të të përhershmit Romelu Lukaku për të mbyllur grupin B në vendin e parë me 100% të pikëve.
Kurioz është fakti që në çerekfinalen e dytë të këtij aktiviteti do të matin forcat pikërisht dy skuadrat më të suksesshme të këtij edicioni, duke marrë në konsideratë edhe fazën eliminator. Kështu Belgjika dominoi sfidat kualifikuese në Grupin I, duke grumbulluar 30 pikë të plota, me një golaverazh 40-3, ndërsa Italia në krahun tjetër fitoi 10 ndeshjet në dispozicion në Grupin J, me golaverazhin 37-4.
Gjërat janë ende të paqarta dhe deri ditën e mërkurë De Bruyne dhe Eden Hazard nuk u stërvitën fare me pjesën tjetër të ekipit, ndërsa të enjten në seancën 15’ të hapur për mediat të dy këta futbollistë morën pjesë, duke u stërvitur në mënyrë të veçantë. Natyrisht që një gjë e tillë mund të jetë edhe thjesht një lëvizje taktike e 47-vjeçarit katalan, Martinez, për të trembur kundërshtarët, megjithatë është e qartë që pa këta dy lojtarë në fushën e blertë Belgjika zbret në fushë tepër e dobësuar dhe ndoshta inferiore kundrejt “axurrëve”.
Mbi të gjitha skuadra e Roberto Mancinit nuk i druhet aspak këtij lloj kundërshtari duke patur parasysh rrethanat apo dhe faktin që Italia ka dominuar përballjet kompetitive ndërmjet tyre. Përpara se të shtrëngohej për të shkuar në shtesë nga Austria në fazën e 1/8, Italia krenohej me 11 fitore radhazi në të gjithë kompeticionet. Tani ekipi i Mancini-t numëron 31 takime pa humbje në të gjithë aktivitetet, në harkun e 90’, 25 fitore dhe 6 barazime, duke thyer rekordin e “axurrëve” të Vitorio Pocos në vitet 30, ndërkaq me 11 takime pa pësuar përpara golit të shënuar në shtesën e dytë nga sulmuesi austriak i Shtutgartit Sasa Kalajdzic Italia barazoi rekordin e dikurshëm të ekipit të drejtuar nga Ferrucio Valcareggi nga 1972 deri në vitin 1974.
Në Grupin A vendasit shkëlqyen në Romë duke mposhtur me radhë, Turqinë, Zvicrën dhe Uellsin, ndërsa larg Olimpico-s Italia vuajti ndaj Austrisë, megjithatë në Londër trajneri Roberto Mancini bëri ndërhyrjet e duhura duke ndrequr gjithçka dhe falë entuziazmit dhe lojës së rrjedhshme “axurrët” kanë fituar goxha besim për të shkuar larg në këtë evropian.
Në radhët e tyre “Djajtë e Kuq” kanë Romelu Lukaku-n, që në këtë Europian ka shënuar tri herë, gjithsesi mbrojtësit italianë i njohin në mënyrë perfekte të gjitha lëvizjet e sulmuesit të Interit. Te Italia probleme fizike ka vetëm dyshja e mbrojtjes Chiellini – Florenzi, ndërsa te “Djajtë e Kuq”, siç dihet, mungon Timothy Castagne. “Les Diables Rouges” kanë triumfuar vetëm 4 herë gjithsej në 22 përballjet ndërmjet këtyre dy vendeve, e në tri prej tyre madje Italia është mundur brenda në Bruksel.
Italia kryeson 3-1 bilancin e përgjithshëm të 6 sfidave kompetitive mes tyre, ndërsa në bilancin e përgjithshëm “axurrët” udhëheqin dukshëm 14-4 statistikat e 22 sfidave ndërmjet dy vendeve. Ndeshja Belgjikë – Itali do të luhet në orën 21:00, në “Allianz Arena” të Mynihut dhe do të drejtohet nga kryesori slloven, Slavko Vincic./ SuperSport
Top Channel