SHBA: Dhoma e Përfaqësuesve miraton ngritjen e komisionit të posaçëm për 6 janarin

01/07/2021 19:06

Dhoma e Përfaqësuesve votoi të mërkurën për krijimin e një komisioni për të hetuar sulmin e 6 janarit ndaj Kapitolit nga qindra përkrahës të ish-Presidentit Trump.

Sulmi u organizua për të penguar çertifikimin e fitores së demokratit Joe Biden në zgjedhjet presidenciale të nëntorit 2020.

Votimi i së mërkurës, i cili formalizoi krijimin e komisionit që ishte njoftuar nga Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi javën e kaluar, u zhvillua në vija partiake, 220-190, ku shumica e ngushtë demokrate votoi pro dhe pjesa dërrmuese e republikanëve votoi kundër.

Republikanët Liz Cheney dhe Adam Kinzinger, të dy kritikë të ish-Presidentit Trump, votuan me demokratët, pro krijimit të komisionit. Zonja Pelosi shpalli të enjten emrat e anëtarëve të komisionit, mes së cilëve edhe zonja Cheney.

Gati gjashtë muaj pasi përkrahësit e ish-Presidentit Donald Trump protestuan, duke sulmuar policinë dhe hyrë me forcë në Kapitol duke u përpjekur të pengonin certifikimin e fitores së presidentit të zgjedhur Joe Biden, ligjvënësit amerikanë nga salla e Dhomës së Përfaqësuesve, ku kishin qenë të rrethuar më 6 janar, krijuan një komision të posaçëm për të hetuar zhvillimet e asaj dite.

“Ne do t’i respektojmë shqetësimet e popullit amerikan duke kërkuar dhe gjetur të vërtetën për të mbrojtur vendin tonë nga çdo sulm i ardhshëm i ngjashëm. Siç është thënë shumë herë që nga ajo ditë, 6 janari ishte një nga ditët më të errëta të historisë sonë”, tha Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

Në fillim të këtij viti, demokratët e kësaj Dhome votuan për herë të dytë për ta shpallur zotin Trump fajtor për nxitjen e asaj kryengritjeje. Ai u shpall i pafajshëm në Senatin amerikan, por komisionet e kongresit kanë ndërmarrë hetime të shumta për dështimet e sigurisë atë ditë. Kjo është një arsye që republikanët thonë se ky komision i ri është i përsëritur dhe i panevojshëm.

“Nëse do të shpenzojmë kohë dhe burime me hetime, duhet të bëjmë shumë gjëra që janë neglizhuar nga demokratët – si hetimi i origjinës së COVID dhe mbajtja e Kinës përgjegjëse, kriza humanitare në kufi e shkaktuar nga politikat e demokratëve”, tha republikania Beth Van Duyne.

Një komision dypartiak që do të kishte hetuar gjerësisht ngjarjet e 6 janarit u bllokua nga republikanët e Senatit në maj – pas kundërshtimit të zotit Trump.

“Ata kanë zgjedhur partinë mbi patriotizmin. Ata kanë zgjedhur autokracinë mbi demokracinë. Ata kanë zgjedhur gënjeshtrën e madhe mbi shtetin e së drejtës. Ata kanë zgjedhur teoritë e konspiracionit mbi Kushtetutën, dhe kanë zgjedhur presidentin më të korruptuar në historinë e Amerikës, mbi transferimin paqësor të pushtetit”, tha ligjvënësi demokrat Hakeem Jeffries.

Komisioni do të përbëhet nga një numër i barabartë anëtarësh nga secila palë. Një ligjvenëse republikane, e cila votoi kundër hetimit dypartiak, e kritikoi propozimin e fundit pasi ai parashikon që zonja Pelosi të zgjedhë anëtarët.

“Kryetarja Pelosi dhe demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve kanë vendosur politikën përçarëse partiake përpara interesave të popullit amerikan. Më thelbësorja për çdo hetim objektiv është të jesh i lirë nga ndikimi politik dhe paragjykimi partiak”, tha ligjvënësja Michelle Fischbach.

Në bazë të rezolutës së Dhomës së Përfaqësuesve, komisioni ka 13 anëtarë, tetë prej tyre të emëruar nga zonja Pelosi dhe pesë nga ligjvënësi Kevin McCarthy, udhëheqësi i republikanëve në këtë Dhomë, “në këshillim” me zonjën Pelosi, gjë që nënkupton se ajo ka të drejtën t’u vërë veton disa kandidatëve.

Komisioni do të ketë kompetencat të detyrojë paraqitjen e dëshmitarëve dhe dokumentave për të raportuar mbi shkaqet e sulmit më të rëndë në ndërtesën e Kongresit të Shteteve të Bashkuara në dy shekuj.

Pesë vetë gjetën vdekjen në këtë sulm. Deri tani janë ngritur akuza ndaj më shumë se 500 pjesëmarrësve, ndërsa dëmet materiale llogariten në 1.5 milionë dollarë.

Rezultatet e punës së komisionit priten brenda këtij viti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA