Ndryshimet në buxhetin e shtetit, Denaj në Kuvend: Të krijohet hapësira për mbështetjen e qytetarëve

01/07/2021 12:40

Ministrja e Financave Anila Denaj nga foltorja e Kuvendit ka argumentuar sërish ndryshimet në ligjin organik të buxhetit dhe ndryshimin e buxhetit të shtetit.

Denaj tha se ndryshimet në ligjin “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë“ vijnë si nevojë për të garantuar hapësira fiskale për të bizneset e qytetarët.

“Qeveria Shqiptare është detyruar të bëjë një sërë ndryshimesh në parashikimet buxhetore dhe makroekonomike, duke krijuar hapësirën e nevojshme fiskale për mbështetjen ndaj qytetarëve dhe bizneseve në vitin 2021. Nevoja për ndryshime ka si objektiv primar ofrimin e stimujve të nevojshëm fiskalë në krahun e shpenzimeve buxhetore për rimëkëmbjen e ekonomisë së vendit si pasojë e dy goditjeve të njëpasnjëshme.  Vlerësimet aktuale të situatës makroekonomike dhe fiskale për vitin 2021 si dhe për periudhën 2022-2024, tregojnë se, një stimul i mëtejshëm fiskal nga ana e shpenzimeve buxhetore do të ishte garanci për nivele më të larta e të qëndrueshme të rritjes ekonomike në afatmesëm dhe afatgjatë.  Kjo do të ofronte: Punësim e mirëqenie për qytetarët e vendit dhe më shumë burime financiare për shërbime publike”, tha ministrja Denaj.

Top Channel