Kryetari i Partisë Demokratike, Lulizm Basha, nëpërmjet një postimi në “Facebook” ka shprehur mirënjohjen ndaj ish-Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Donald Rumsfeld.

Me trishtim mësova ndarjen nga jeta të ish-Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, përfaqësues i një plejade të artë vendimmarrësish që e bënë botën më të sigurtë, më të lirë dhe demokratike. Sekretari Rumsfeld do të përkujtohet dhe nderohet përherë si një mik i madh i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, kontributi i të cilit ka qenë i paçmueshëm për anëtarësimin e vendit tonë në NATO.

Mirënjohje dhe nderim të thellë për këtë kampion të lirisë dhe ngushëllimet më të ndjera familjes, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij dhe popullit amerikan. U prehtë në paqe”, shkruan Basha.

Ish-Sekretari amerikan i mbrojtjes, Donald Rumsfeld, ka vdekur në moshën 88-vjeçare në New Meksiko, të mërkurën, raporton Radio Evropa e Lirë.

Rumsfeld, një ish-anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve, shërbeu si Sekretar i Mbrojtjes gjatë presidencës së George W. Bush, dhe njihet si një nga arkitektët kryesorë të luftës në Irak dhe Afganistan.
Rumsfeld mbikëqyri sulmet ndaj bazave të Al-Kaidës në Afganistan pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit në SHBA. Nga intervenimi ushtarak amerikan shumë shpejt talibanët u rrëzuan nga pushteti dhe u krijua një qeveri e re e zgjedhur në mënyrë demokratike.

Më 2003, forcat amerikane rrëzuan nga pushteti presidentin irakian, Saddam Hussein, por pas kësaj, nuk arritën të mbanin rendin dhe rregullin.
Më vonë, Bush e zëvendësoi Rumsfeldin pasi Shtetet e Bashkuara u bllokuan në luftimet në atë vend.

Top Channel