Të paktën 7 kisha janë djegur deri tani në Kanada që prej nisjes së zbulimit të varreve masive të fëmijëve të popullsisë indigjene, pranë shkollave famëkeqe “të asimilimit”.
Prej muajit të kaluar, mbetjet e trupave të më shumë se 1,000 fëmijëve të popullsive indigjene të vendit janë gjetur pranë të ashtuquajturave “Shkolla Rezidenciale Indiane” të cilat menaxhoheshin nga Kisha Katolike, me synimin e asimilimit të popullsisë aborigjene vendase në stilin modern, kolonial të jetesës në Kanada.
Dy kisha të tjera katolike u dogjën dje pas lajmit të gjetjes së një varreze të tretë me 182 varre të pashënuara, pranë një shkolle rezidenciale në brendësi të rajonit të British Columbia.
Zjarrfikësit u dërguan me urgjencë në kishën St. Jean Baptiste Parish në Alberta, e cila thuajse ishte shkrumbuar nga flakët.
Policia nuk arriti të jepte shkaqet e ngjarjes por tha se zjarri përshkruhej si “i dyshimtë.”
Rreth një orë më vonë zjarri shpërthe në kishën katolike St. Kateri Tekakwitha në territorin aborigjen kanadez të Sipekne’katik në rajonin e Nova Scotia, raproton CBC.
Ndërkohë aktivistët dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut kanë dëmtuar ose ndotur me bojë të tjera institucione të Kishës, me sloganet “ata ishin vetëm fëmijë”.
Llogaritet se rreth 150,000 fëmijë të kombeve aborigjene të Kanadasë ishin ndarë forcërisht nga familjet e tyre për t’u “arsimuar” në shkollat fetare të ngritura për këtë qëllim në shekullin e 19-të, ku abuzimet dhe kushtet e rënda ishin të kudondodhura, sipas dëshmive.
Mijëra fëmijë largoheshin nga shkollat ose vdisnin aty, teksa ish-nxënës të tyre raportojnë për abuzime të tmerrshme fizike, seksuale e mendore që kanë vuajtur në duart e kujdestarëve të tyre.
Komisioni i të drejtave aborigjene kanadeze ka akuzuar shkollat për institucionalizim të abuzimit me fëmijët dhe për të qenit vegël e genocidit kulturor.
Top Channel