Vetëm pas 9 vitesh janë zbuluar sot në Greqi disa prej hollësive të të ashtuquajturës vjedhja e shekullit.

Në një video që ka publikuar policia greke, ndërsa ndiqej për 6 muaj, një 49 vjeçar, me profesion bojaxhi, pas arrestimit të tij tregon se ku i kishte fshehur dy nga tre pikturat e vjedhura  në vitin 2012 në Galerinë e Arteve në Athinë.

Michalis Chrisochoidis, Ministri i Mbrojtjes së Qytetarëve: Urime skuadrave të policisë që vazhdojnë punën e suksesshme në shumë sektorë të ndryshëm. Ata punuan sistematikisht, të koordinuar, ata janë para jush dhe ne i përgëzojmë ata.

Bëhet fjalë për dy vepra me një vlerë të jashtëzakonshme, njëra e Piet Mondrian e vitit 1905 që pasqyron një Mulli me Erë dhe e dyta Koka e një gruaje e piktorit të famshëm Pikaso e realizuar në 1939. Siç ka sqaruar ministrja greke e Kulturës është një portret i një gruaje në stilin kubist, që është dhuruar në Galerinë Kombëtare e nënshkruar nga vetë autori në vitin 1949, si shenjë mirënjohje për rezistencën që i bëri Greqia Gjermanisë naziste.

Lina Mendoni, Ministre e Kulturës: Galeria jonë Kombëtare ka shëruar plagët e saj nga vjedhja e vitit 2012. Kryevepra e piktorit të madh, e cila iu dhurua popullit grek, kthehet në Galerinë Kombëtare të sapo rinovuar e cila nuk ka asgjë për të pasur zili nga galeritë e tjera evropiane.

49 vjeçari ka vjedhur edhe një vepër të tretë të cilën në pamundësi për të shitur e ka shkatërruar. Bëhet fjalë për një person që adhuronte artin, ndërsa plani i tij i vjedhjes, i hartuar për muaj të tërë dhe largimi nga Galeria që ndodhet në zemër të kryeqytetit grek u ka bërë përshtypje zyrtarëve të policisë të cilët për 9 vjet kërkonin veprat jashtë Greqisë.

Top Channel