Vendimi për kryetarin e bashkisë Mallakastër, shtyhet seanca/ Avokati kërkon kohë: Dua të bëj një mbrojtje të mirë

30/06/2021 11:24

KQZ vendosi të shtyjë seancën për kryetarin e bashkisë Mallakastër Qerim Ismailaj.

I përfaqësuar në seancën e sotme nga nga avokati i tij, Besnik Strati, ky i fundit kërkoi kohë pasi siç tha do të sillte një mbrojtje më të mirë, dhe për të sjellë më shumë prova.

Celibashi vendosi të pranojë kërkesën dhe mbledhja tashmë do të zhvillohet të premten ora 11.

Avokati: Në 30 i 6 unë  mora prokurorën, pra sot, pavarësisht se kam bërë një kërkesë në prokurori për disa dokumente, doja një seancë tjëtër dëgjimore , për të bërë mbrojtje më të mirë, ndoshta dhe një ditë më mjafton.

Celibashi: Po mirë do e pranojmë kërkesën tuaj.

Avokati: Se duam të na jepet mundësia të marrim dokumentet nga  prokuroria.

Celibashi: Do e lëmë të premten, ora 11

Kryebashkiaku socialist i Mallakastrës Qerim Ismailaj për mos deklarim të një dënimi në Greqi në formularin e dekriminalizimit, krahas humbjes së postit të kryetarit të bashkisë, rrezikon edhe dënim penal.

Në shkresën dërguar KQZ, prokuroria e përgjithshme thotë se Ismailaj rezulton i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale në Greqi dhe është dënuar atje në mungesë me tre vite burg.

Nga korrespondenca me shtetin Grek, prokuroria shqiptare zbuloi se Gjykata e Chios në Nëntor të vitit 2000 me një vendim të formës së prerë gjeti fajtor Qerim Ismailajn për veprën penale të Konfliktit dhe të Përleshjes.

Sipas departamentit të dekriminalzimit ky dënim në Greqi korrespondon me veprën penale të legjislacionit shqiptarë të “dëmtimeve të tjera me dashje” që parashikon dënim vetëm me gjobë.

Departamenti dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme për rastin e kryebashkiakut Ismailaj u vu në lëvizje pas një denoncimi të Partisë Demokratike.

Top Channel