Kryeministri Edi Rama ishte sot në Universitetin Bujqësor të Tiranës, në një event promovues për kartën e naftës për fermerët.
Mesazhi i tij për studentët ishte se në profesionin e fermerit mund të merrnin më shumë se sa do fitonin po të punonin jashtë shtetit, por sigurisht duhet që ta dinë ta shfrytëzojnë këtë mundësi.
Më tej Rama tha se synon që ta rrisë mbështetjen për fermerët nga 10 milionë euro që u prezantua sot, në 50 milionë euro deri në 2025.
Rama: Masat që kemi marrë për ta stimuluar sektorin dhe shifrat e rritura në sektor janë historike sepse sot jemi në kushtet kur kemi jo më synim, por fakt, masat kyçe lehtësuese dhe mbështetëse që fermerët i kanë kërkuar që në fillim të ’90 kur e kuptuan që në këtë sistem të ri bujqësia nuk mund të trajtohet njësoj si gjithë të tjerët se ka nevojë për një aleancë të vazhdueshme mes fermerit dhe shtetit.
Ju them studentëve që ky është vendi për të marrë dijet e nevojshme dhe për të fituar me dije dhe punë shumë më tepër sesa një rrogë, duke u bërë një vlerë e shtuar për një sektor që do t’i ketë gjithmonë e më të mëdha nevojat për burime njerëzore.
Një njeri i ditur sot në bujqësi mund të fitojë shumëfizishin e asaj që mund të fitonte jashtë dhe të bënte një punë të zakonshme çfarëdo qoftë. Kjo kërkon që të kesh kontakte me më shumë se një vend pune, ama kjo është e bëshme.
Skema nuk do të ndërpritet, por do të shtohet në mbështeje financiare. Objektivi është që nëse sot kemi vënë në shërbim të fermerëve për naftën 10 mln, në 2025 të kemi shkuar në 50 mln. Ne nuk jemi në fushatë se zgjedhjet kanë mbaruar. Sot ju flas në emër të një force që ka marrë mandatin që të vazhdojë dhe në 2025 ne prapë do japim llogari. Të rrisim në mënyrë që të zgjerojmë numrin dhe të stimulojmë fermerët që të bëjnë ato pak gjëra për t’u formalizuar dhe për të hyrë në një sistem ku nuk mund të zhvillohesh me trastë, informalisht, pa NIPT, pa gjë.
Ne duam ta trefishojmë sipërfaqen e serave dhe ta diversifikojmë prodhimin. Kjo është e mundur se e kemi parë si ka funksionuar dhe çfarë ka sjellë përpjekja për rritjen e sipërfaqeve të serave.
Duam të dyfishojmë financimin për të zgjeruar gamën e mbështetjes dhe nga skemat kombëtare, jo vetëm nga BE. Nga janari 2022, Shqipëria rurale do ketë në dispozicion 146 mln euro falë AZHBR-së.
Me dronët superinteligjentë do mundet të kemi informacion të plotë çdo 24 orë për të gjithë sipërfaqet e punuara në Shqipëri. Këto sisteme do ju ndihmojnë shumë ju dhe ne, do ndihmojnë ndërveprimet tona.
Sot këto fjalë nuk janë në ajër sepse në Republikën e Shqipërisë nga Tropoja deri në Konispol ka fermerë dhe sipërmarrje bujqësore që e tërheqin qeverinë nga mbrapa. Ata kanë hapur rrugën dhe me forcën e shembullit dhe na thonë ne ja ku jemi, bëjmë edhe pa ju, por nëse na mbështesni shkojmë edhe më larg.
Mesazhi im për të gjithë është duhet në radhë të parë besim i madh te vetja dhe një vullnet i madh për të shkuara para duke kuptuar njëherë e mirë se vetëm nuk realizohet dot ajo që mund të realizohet nga të tjerët në këtë sektor që kërkon bashkim forcash ku secili në fund merr pjesën e tij të fitimit, por të gjithë së bashku vendosim se ku si dhe kur ta shesin prodhimin që kanë. Do të bëjmë shumë që studentët të jenë një vlerë e shtuar për sektorin.
Top Channel