Kryeministri Edi Rama në një deklaratë për mediat ditën e sotme është shprehur i vendosur sa i përket zaptimit të plazheve nga bizneset private.
Ai thekson se procesi për lejimin e bizneseve me leje do të zbatohet me hir ose pahir.
Rama gjithashtu tregoi se do të ketë forca policie që do të konfiskojnë cdo objekt nëse bizneset nuk i kanë dokumentacionet në rregull.
“Një gjë është e padiskutueshme ajo çka është përcaktuar si kornizë e këtij procesi do të zbatohet me hir ose pahir. Dua t’i bëj thirrje të gjithë atyre që s’janë në rregull më dokumentacionin meqë kanë operuar me teorinë e faktit të kryer që të largohen nga sipërfaqet që s’u takojnë me ligj e me rregull policia do të jetë e pranishme në të gjithë vijën bregdetare dhe do të konfiskojë çdo çadër, zhezllon apo çdo strukturë tjetër. Subjektet private duhet të jenë të përfshira në grantimin e sezonit turistik. Është shumë e qartë nga pikëpamja financiare se kjo skemë e re e administrimit të plazheve ka krijuar më shumë të ardhura dhe më shumë hapësira për qytetarët që nuk duan të jenë pjesë e hapësirave që nuk administrohen nga privati. Disa raste që janë bërë publike dhe raste që s’janë bërë publike, por baza është pozitive, por duhet konsoliduar që piku i sezonit në korrik dhe gusht të jenë të garantuar në këtë aspekt. Subjektet që nuk janë aty ku janë vendosur duhet të largohen vetë dhe të mos humbasin edhe atë bazë material që kanë siguruar për biznesin e tyre sepse do t’u merret e s’do t’u jepet më”, tha Rama.
Ai e ka konsideruar qesharake mendimin se një dy tre ngjarjet që ndodhin në vend sjellin largimin e turistëve.
“Ne jemi të shqetësuar çdo ditë që puna të bëhet mirë por që të thuhet që një dy tre ngjarje na e bëkan Shqipërinë një vend që turistët të kthehen mbrapsht është qesharake pasi asnjë turist s’po kthehet mbrapsht”, tha Rama.
Top Channel