“Dështim i përsëritur i BE”/ Deklarata e përbashkët e Ramës, Vuçiç dhe Zaev

29/06/2021 19:45

Kryeministri Edi Rama, Presidenti Serbise Aleksandër Vucic dhe kryeministri Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, zhvilluan një video-konferencë për të çuar përpara iniciativën e Shengenit Ballkanik.

Në deklaratën e përbashkët thuhet se “Dështimi i përsëritur i BE-së për të përmbushur premtimet e saj dhe paaftësia për të ecur përpara me hapjen e konferencave të para ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, është kundër vullnetit europian të vendeve tona dhe po aq, kundër interesave të vetë BE-së”.

Nga ky takim online është rënë dakord që më 29 korrik, në Shkup të zhvillohet tryeza e radhës e liderëve ballkanik për të nënshkruar marrëveshje që zbatojnë angazhimet e Samitit të Berlinit, si marrëveshja për bashkëpunimin dhe ndihmën në rast të katastrofave natyrore dhe ajo për lehtësimin e tregtisë, eksporteve dhe importeve në vendet tona.

Në këtë takim virtual munguan, udhëheqësit e tjerë të rajonit, si Kosova, Mali I Zi dhe Bosnje Hercegovina.

Pikërisht për këtë aspekt në deklaratë theksohet se: “Ne i ftojmë dhe inkurajojmë kolegët tanë në rajon të nënshkruajnë dhe zbatojnë marrëveshje të ngjashme në mënyrë që vizioni i hapësirës së përbashkët politike dhe ekonomike në të gjithë Ballkanin Perëndimor,nëpërmjet një tregu të përbashkët, të bëhet pjesë e qenësishme e jetës së përditshme të qytetarëve tanë.

Deklarata mbylle me fjalët: “Shqipëria është Europë. Maqedonia e Veriut është Europë. Serbia është Europë. Ballkani Perëndimor është Europë. Ne do të punojmë fort ta kthejmë këtë në një realitet të përditshëm”.

Top Channel