Arrestohen katër persona në Durrës për vjedhje, shpallet në kërkim një tjetër

29/06/2021 18:03

Katër persona janë arrestuar në flagrancë nga policia e Durrësit, si dhe është shpallur në kërkim një tjetër, pasi u kapën duke vjedhur një transformator të energjisë elektrike.

Të 4 autorët e arrestuar rezultojnë me precedent të mëparshëm penal në fushën e vjedhjeve, ndërsa është sekuestruar në cilësinë e provës materiale transformatori, pajisjet që shërbenin për çmontimin e tij dhe automjeti që do përdorej për transportin.

Shërbimet e Komisariat të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasit: I. N., 31 vjeç, A. H., 30 vjeç, D.T., 36 vjeç, të dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”, L. V., 29 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja e energjisë elektrike”, të katërt banues në Tiranë.

Gjithashtu u bë shpallja në kërkim dhe vijon puna për kapjen e shtetasit L. S., 54 vjeç, banues në Tiranë.

Këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në fshatin Romanat, Durrës, janë konstatuar dhe kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, duke vjedhur një transformator të energjisë elektrike.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprën penale “Vjedhja” kryer në bashkëpunim.

Top Channel