Tjetër konflikt për plazh/ Digjen qëllimisht shezlongët në Dhërmi

28/06/2021 12:11

Më 19 qershor, bizneset që punonin me çadrat dhe shezlongët në plazhet e bashkisë Himarë ngritën shqetësimin se qershori po mbaronte dhe ata ende s’kishin marrë lejen për shfrytëzimin e bregdetit.

10 ditë pas kësaj ngjarje, Ministria e Turizmit, përgjegjëse për këtë proces, nuk dha asnjë zgjidhje. Në plazhet e bregdetit shumë pak biznese kanë marrë lejen, ndërsa pjesa tjetër që kanë punuar për dhjetra vjet aty, nuk kanë lejen dhe nuk po marrin përgjigje.

Kjo situatë në Shkodër shkaktoi katër vrasje, ndërsa në Dhërmi ndodhi një tjetër ngjarje kriminale. Policia lajmëroi se në mënyrë të qëllimshme janë djegur çadrat dhe shezlongët e një biznesi. Ngjarja ka ndodhur në orën 1:30 të mëngjesit.

Të gjitha pajisjet e plazhit që sapo kishte marrë lejen e shfrytëzimit, ishin mbledhur për t’u hapur në mëngjes, në pritje të pushuesve, por në mënyrë të qëllimshme i është vendosur zjarri. Shkaku është konkurrenca për shfrytëzimin e vijës bregdetare.

Policia dyshon se një pjesë e bizneseve të zonës që ende nuk janë pajisur me leje mund të jenë autorët e kësaj ngjarje. 55-vjeçari, pronar i çadrave sapo kishte marrë lejen e shfrytëzimit të vijës bregdetare.

Top Channel