Agim Ibraimi është një lojtar thuajse 100% i larguar nga Kukësi. Kontrata me blutë i përfundoi në fund të sezonit dhe e ardhmja e tij nuk do të vijojë të jetë me blutë, aty ku mbajti edhe shiritin e kapitenit.
Fantazisti i cili ishte një ndër më të dalluarit në këtë sezon në Kategorinë Superiore, pritet ta vazhdojë karrierën e tij në Katar, tek skuadra e Al Arabit, ku pritet të firmosë me këtë klub një kontratë 2-vjeçare me një vlerë prej 520 mijë dollarësh.
32-vjeçari me shumë mundësi do të udhëtojë drejt Dohas, kryeqytetit të Katarit ditën e premte dhe pasi të kalojë testet mjekësore, do të firmosë kontratën e cila ka terma mjaft të mira në aspektin financiar.
Ibraimi në edicionin e fundit ishte një lojtarët më të mirë në Shqipëri ku realizoi 17 gola mes kampionatit dhe Kupës, teksa dhuroi edhe 6 asiste. Në shumë takime ai rezultoi vendimtar për skuadrën e tij edhe pse në tërësi sezoni i Kukësit ishte zhgënjyes.
Ibraimi në karrierën e tij të pasur, përveçse me skuadrën e qytetit të tij të lindjes, Shkëndijën e Tetovës, është aktivizuar me mjaft sukses ndër të tjera edhe me Mariborin në Slloveni ku fitoi 4 tituj kampion, por mbi të gjitha me Cagliarin në Serinë A në sezonin 2013-2014./supersport
Top Channel