Me rrezikshmëri të lartë, i dënuar me 25 vite burg në Greqi/ Kapet 54-vjeçari i shpallur në kërkim

27/06/2021 16:17

Vijon operacioni policor “Perimetri”.

Forcat Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me strukturat për Hetimin e Krimit në DVP-Korçë, kapin dhe ndalojnë një shtetas me rrezikshmëri të lartë, i shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni, në rolin e organizatorit.

I ndaluari, rezulton gjithashtu i dënuar me 25 vite burg në Greqi për disa vepra të rënda penale.

Strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në vijim të punës për dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur më datë 25.06.2021, në fshatin Çërravë, Pogradec, ku u arrestua në flagrancë shtetasi R. K., i cili u kap duke transportuar kundrejt fitimit 13 emigrantë të paligjshëm, në bashkëpunim me Forcat Operacionale në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, bënë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit të shpallur në kërkim A. D., 54 vjeç, banues në Dibër, i cili nga veprimet hetimore të kryera rezulton se kishte rolin e organizatorit të kësaj ngjarjeje.

Gjithashtu nga verifikimet e kryera rezulton se Gjykata e Selanikut, Greqi, e ka dënuar shtetasin A. D., me 25 vite burg për veprat penale “Vjedhja me armë”, “Armëmbajtja pa leje”, “Dhunimi i banesës”, “Vrasja me paramendim”, “Shkatërrimi i pronës”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, vendim i njohur nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër dhe Gjykata e Apelit në Tiranë.

Materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA