Masakra në Velipojë/ Arrestohen dy të plagosurit, në kërkim tre vëllezër. Gjendet dhe një pistoletë në hotelin e Gocajve

27/06/2021 16:42

Hasan Ferracaku dhe Elmilind Dyli dy të plagosurit nga masakra e Velipojës janë arrestuar nga policia. 

Gjithashtu janë shpallur në kërkim shtetasit A. V., Sh. V. dhe B. V., vëllezër, banues në fshatin Pulaj, Velipojë, bashkia Shkodër, të dyshuar si bashkautorë në ngjarje, për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, në bashkëpunim.

Kujtojmë se konflikti për hapësirën e plazhit në këtë sezon turistik mes dy familjeve pronare hotelesh në Velipojë ka sjellë vrasjen e 4 prej tyre 30 minuta pas mesnate.

Viktimat e ngjarjes janë biznesmeni i njohur i zonës, Kujtim Ferracaku, dy vëllezërit Xhovani Gocaj, dhe Edmond Gocaj dhe punonjësi i hotelit, Myzerim Zeneli.

Kujtim Ferracaku është babai i Arjan Ferracakut që mbeti i vrarë në  2018-ën në atentatin mafioz në Zonën e Livadheve teksa po kalëronte. Ai është pronar i “Hotel Fantazia” në Velipojë dhe “Hotel Fantazia” në Zues.

Njoftimi

Në vijim të veprimeve hetimore të kryera grupi i posaçëm hetimor, për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur rreth orës 00:30, në Pulaj Plazh, Velipojë, ku si pasojë e një konflikti të çastit mbetën të vrarë me armë zjarri 4 shtetas dhe u plagosën 2 të tjerë, bazuar në provat e grumbulluara u arrestuan në flagrancë shtetasit:

H. V., 54 vjeç, lindur në fshatin Trush dhe banues në fshatin Pulaj, Velipojë, si dhe nipi i tij shtetasi E. D., 17 vjeç, lindur e banues në fshatin Guri i Zi, bashkia Shkodër, të cilët janë në Spitalin e Traumës në Tiranë, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, në bashkëpunim.

Gjithashtu janë shpallur në kërkim shtetasit A. V., Sh. V. dhe B. V., vëllezër, banues në fshatin Pulaj, Velipojë, bashkia Shkodër, të dyshuar si bashkautorë në këtë ngjarje, për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, në bashkëpunim.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dy armë zjarri pistoleta, njëra prej të cilave u gjet në vendngjarje, ndërsa tjetra u gjet gjatë kontrollit në hotelin e familjes Gocaj.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në konfliktin me armë.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA