Vala mbytëse e të nxehtit me temperature deri në 38 e lagështirë 70% ka bërë që qielli në Italinë fqinje të duket si i veshur me një perde dhe re të bezdisshme sidomos në rajonin e Napolit.
Meteorologët atje japin si shpjegim disa foto të marra mbi basenin e Mesdheut nga sateliti i NASA-s “Aqua” të publikuara në rrjetin “Earth Observatory”, i cili përditësohet shpesh me imazhe spektakolare të sipërfaqes së tokës në lidhje me çështjet ambjantale e klimatike.
Foto në fjalë e marrë më 22 qershor, tregon një re gjigande rëre që udhëton nga Afrika e veriut drejt Italisë jugore, duke përfshirë dhe krahinën e Campania me qendër Napolin.
Reja e rërës është një flluskë që përbëhet nga miliarda kokrriza që vijnë nga Saharaja, të cilat sipas Earth Observatory, “kanë një rol të rëndësishëm në absorbimin e energjisë diellore dhe rrjedhimisht të modifikimit të temperaturave”.
Kjo bën që i nxehti prej rreth 8 gradë C më shumë se mesatarja stinore, të vërë në alarm agjencitë e mbrojtjes civile, pasi nuk do të ketë asnjë freskim të temperaturave deri në fund të muajit.
Këto ishin parashikimet nga e përditshmja italiane “La Repubblica”, teksa mbetet për t’u parë sesi do të jetë ndikimi i rrymave sahariane në vendin tonë.
Top Channel