Mali i Zi ende nuk ka gjetur një zgjidhje për zbutjen e kredisë kineze, për pjesën e parë të autostradës port i Tivarit- Serbi, që i kushtoi 1 miliard dollarë.
Në një intervistë për Top Channel, zëvendëskryeministri Dritan Abazovic thotë se pagesa e parë e korrikut do të bëhen nga buxheti i shtetit, por shton se janë në përfundim të bisedimeve me Komisionin Evropian dhe një institucione financiar evropian për të marrë kredi për pagimin e kredisë kineze dhe përfundimin e segmenteve të tjera të autostradës.
Por, Komisioni Evropian në një përgjigje për Top Channel, mohon se do ta ndihmojnë financiarisht Malin e Zi për pagimin e kredisë kineze.
Në përgjigje thuhet se Mali i Zi mund të aplikojë për mbështetje financiare për realizimin e pjesëve të tjera të autostradës, por jo për atë që tashmë ka investuar përmes Kinës.
Korridori Bar- Boljare- Serbi përmendet në Planin Ekonomik të Investimeve për Ballkanin Perëndimor. Mali i Zi mund të aplikojë për mbështetje për pjesët e tjera të këtij korridori (jo ai që po ndërtohet nga Kina, i cili do të përfundojë).
Meqenëse mospagimi i kredisë e bën Kinën hisedar në tokën malazeze, pedagogu i ekonomisë thotë se kjo çështje politike mund të ndikojë tek Komisioni Evropian.
Mali i Zi vendosi të investoj në vitin 2014, megjithëse dy studime fizibiliteti rezultuan se nuk ka dobi për ekonominë e vendit.
Kjo autostradë është e gjatë 163 kilometra dhe huaja nga Kina vlen vetëm për 41 kilometrat e parë, 60 përqind e së cilës përbëhet nga tunele e ura.
Borxhi i madh bëri që Mali i Zi të listohet nga institutet në mesin e tetë vendeve në rrezik nga kriza e borxheve për shkak të kredive kineze.
Top Channel