Japonia ka bërë të ditur se duke filluar nga java e ardhshme do të sigurojë vaksina Oxford-AstraZeneca kundër koronavirusit të ri (COVID-19) për kombet aziatike.
Kryediplomati japonez, Toshimitsu Motegi, gazetrëve në Tokio u tha se vendi do të dhurojë një milion doza të vaksinës së koronavirusit në Indonezi, Malajzi, Filipine dhe Tajlandë.
“Ne jemi duke bërë përgatitjet e fundit”, tha ai, duke shtuar se Japonia po ashtu do të ofrojë nga një milion doza për Tajvanin dhe Vietnamin.
Veçmas, nga muaji tjetër vendi po ashtu do të sigurojë 11 milionë doza të vaksinës në Azinë Juglindore, Azinë Jugperëndimore dhe vendet e ishullit të Paqësorit nën instrumentin COVAX të mbështetur nga Kombet e Bashkuara (OKB), një iniciativë globale për ndarjen e vaksinave.
Ministri japonez tha se vendi i tij po udhëheq përpjekjet për të përmbushur boshllëqet e financimit të programit dhe vendet janë zgjedhur në bazë të mungesave të vaksinave, shkallës së infeksioneve, marrëveshjeve të tyre bilaterale me prodhuesit dhe marrëdhëniet me Japoninë.
Derisa Japonia ka siguruar mjaftueshëm vaksina AstraZeneca për 60 milionë njerëz, ajo nuk synon t’i përdorë ato menjëherë për shkak të raporteve të rasteve të rralla të mpiksjes së gjakut./AA/
Top Channel