Me temperaturat ekstreme të larta, këtë të nxehtë përvëlues rreth 32 mijë nxënës të klasave të nënta zhvilluan provimin e fundit të lirimit atë të gjuhës së huaj.

“Ishte i lehtë. Matematika ishte më i vështirë. Tani gati për gjimnaz”, shprehet njëri prej nxënësve.

Për herë të parë ishte ky brez që zhvilloi provimet e lirimit në kohë pandemie, pasi vjet ato u anuluan ndikuar nga situata.

Me masa anticovid ata filluan provimin në orën 10 dhe e përfunduan në 12:30. Provimi i parë i lirimit ishte gjuha shqipe dhe letërsia në 16 qershor, ndërsa më pas u testuan në matematikë në 21 qershor dhe e mbyllën sezonin e provimeve me gjuhën e huaj, lëndën ku maturantët u testuan të parët. Ndryshe nga gjimnazistët që kishin 4 provime mature, nxënësit e klasave të nënta u testuan vetëm në 3, pasi nuk zhvilluan provimin e lëndës me zgjedhje.

Korrigjimi i testeve ka nisur, ndërkohë që rezultatet e tyre, sipas rregullores duhet të publikohen brenda 15 ditëve nga data e zhvillimit të provimeve. E në këtë mënyrë, notat nxënësit e klasave të nënta do ti mësojnë gjatë muajit korrik, ndërkohë që për ta nisën më në fund pushimet verore.

Top Channel