Evropiani i këtij viti ka rezervuar sdisa sfida interesante si Belgjikë-Portugali, apo Kroaci-Spanjë e Francë-Zvicër, por ajo që spikat më shumë është pikërisht përballja mes Anglisë dhe Gjermanisë, një sfidë që ka shumë histori.
Në botën e futbollit ka mbetur në histori shprehja e legjendës së futbollit anglez Gary Lineker: Futbolli është një lojë ku 22 vetë ndjekin një top, por në fund fiton gjermania. Anglia do të kërkojë që të ndryshojë më në fund tendencën e kësaj përballjeje pasi që nga viti 1966 nuk ka mundur dot të fitojë një ndeshje ndaj Gjermanisë në fazën e Knockoutit. Kjo është hera e 8 që Anglia dhe gjermania përballen mes tyre në një turne madhor Evropian apo botëror, një duel që është parë më shpesh se çdo duel tjetër.
Angli-Gjermani është sfida e penalltive të humbura, golave fantazmë dhe lotëve për Tre Luanët që deri në këtë moment i mbahen fort finales së famshme të Botërorit të vitit 1966 ku edhe për shkak të një goli fantazmë, atë të Hurst, Anglia bëri Gjermaninë të qante. Një gol i tillë iu kthye si boomerang skuadrës përfaqësuese angleze 34 vjet më vonë, pikërisht në botërorin e 2010, kur Tre Luanëve nuk iu dha një gol i Lampard edhe pse topi dukshëm e kishte kaluar vijën e portës dhe në fund Gjermania e fitoi bindshëm këtë sfidë.
Në Euro 2000, Anglia më në fund arriti të marrë një fitore ndaj Gjermanisë teksa në fazën e grupeve të kompeticionit e mposhti 1-0, por ky sukses nuk i mjaftoi për të vijuar aventurën evropiane të atij viti. Por dramën më të madhe në përballjet me Die Mannschaft, Anglia e përjetoi në gjysmëfinale të Evropianit të shtëpisë së saj në 1996 teksa u eliminua në serinë e gjuajtjes së penalltive dhe fajtori ishte pikërisht trajneri aktual i Tre Luanëve, Gareth Southgate, i vetmi që gaboi nga pika e bardhë, një moment që padyshim ai nuk do ta fshijë dot kurrë nga kujtesa.
Top Channel