Aksidenti tragjik me 4 viktima/ Meta apel Policisë Rrugore: Merrni masa për të parandaluar të tilla tragjedi!

25/06/2021 13:19

Pas aksidentit tragjik në autostradën Fier-Vlorë, aksident që i mori jetën familjes Gushi me katër anëtarë dhe la të plagosur tre persona të tjerë, ka reaguar Presidenti i Republikës, Ilir Meta.

Teksa i ka shprehur ngushëllimet familjes, Kreu i Shtetit kërkon hetim të plotë të ngjarjes, si dhe i bën apel strukturave që të marrin të gjitha masat për të parandaluar të tilla tragjedi, sidomos në këtë periudhë të ngarkuar të sezonit turistik.

Po ashtu një tjetër thirrje e Presidentit të Republikës shkon edhe për qytetarët ku i kërkon që të ecin me shumë kujdes.

Postimi i plotë:  

Kam përcjellë me trishtim shumë të thellë lajmin e rëndë të humbjes së familjes Gushi në një aksident tragjik në aksin rrugor Fier-Vlorë.

I bashkohem dhembjes së të afërmve dhe ju shpreh ngushëllimet më të ndjera!

Zoti t’ju japë forcë për të përballuar këtë tragjedi, që na ka tronditur sot të gjithëve.

Duke kërkuar një hetim të plotë, i apeloj Policisë Rrugore dhe çdo strukture tjetër përgjegjëse, të marrin të gjitha masat efektive për të parandaluar të tilla tragjedi, sidomos në këtë periudhë të ngarkuar të sezonit turistik.

Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve të udhëtojnë me shumë kujdes! Shpejtësia vret!

Top Channel