750 varre zbulohen në ish-shkollën për fëmijët e popujve indigjenë në Kanada (fotot)

25/06/2021 17:12

Qindra varre pa emër që besohet se i përkasin fëmijëve të komuniteteve indigjene të Kanadasë janë zbuluar pranë një shkolle ‘asimilimi’, në skandalin më të fundit të kësaj natyre që po trondit vendin me mizoritë e të shkuarës koloniale.

Liderët e grupeve aborigjene indiane në Kanada i kanë bërë thirrje Papës të kërkojë ndjesë pas zbulimit të fundit në rajonin Saskatchewan, në shkollat e menaxhuara nga Kisha Katolike, zyrtarët e të cilës dyshohet se kanë zhdukur emërtimet e varreve.

751 mbetje trupash janë zbuluar në vendndodhjen e ish-shkollës rezidenciale Marieval Indian Residential School – e cila ka funksionuar nga viti 1899 deri në 1997 – rreth 100 km larg kryeqytetit të krahinës, Regina.

Kërkimet me radarë toke ‘tringëlluan’ 751 herë, duke sinjalizuar se të paktën 600 trupa ishin varosur në zonë, tha kreu komunitar vendas Cadmus Delorme.

Zhvillimi vjen teksa një muaj më parë u bë zbulimi i rreth 250 mbetjeve trupore të fëmijëve indigjenë në një tjetër nga të ashtuquajturat “shkollat e asimilimit” për popullsitë indigjene.

Një nga liderët tha se tashmë Kanadaja do të njohet si vendi që ‘shfaroste’ popujt e saj indigjenë.

Kryeministri Justin Trudeau tha se ishte ‘tmerrsisht i trishtuar’ nga zbulimi deh iu drejtua popujve indigjenë duke thënë se “lëndimi dhe trauma që ju ndjeni, është një përgjegjësi që do të mbahet nga Kanadaja”.

Delorme shpjegonte: “Ne duam të sigurohemi se numrat që po paraqesim të mos jenë më të mëdhenj nga realiteti, prandaj për të qenë të sigurtë po themi se janë mbi 600”.

Marzhi i gabimit të kërkueseve të tokës është rreth 10%.

Delmore shtoi se varret më parë kanë qenë të shënuara me emra, por Kisha Katolike ka hequr mbishkrimet e tyre. “Papa duhet të kërkojë falje për këtë që ka ndodhur. Ndjesa është një nga fazat e rrugëtimit të pajtimit”.

Kreu fisnor Bobby Cameron i shoqatës së njohur si ‘Indigenous First Nations’ tha: “Kanadaja do të njihet si vendi që ka tentuar të shfarrosë popullsitë aborigjene ‘First Nations’. Tani kemi dhe provat”.

Top Channel